“Kudo që shikon, hajna. Situata është dëshpëruese”, kishte shkruar Daphne Caruana Galizia në blogun e saj dhe ky ishte postimi i saj i fundit para se të humbiste jetën nga një bombë e vënë përfundi automobilit të saj. Ishte 17 tetori i vitit 2017 dhe i biri i saj, Matthew nga ajo kohë është në kërkim të vrasësve të saj.
Edhe vetë gazetar, Mathhew Caruan Galizia vikendin e shkuar dha një intervistë për gazetën e Malit të Zi “Vijesti” dhe zbuloi se nëna e saj, në vazhdën e hulumtimeve që po kryente si gazetare, ishte edhe korrupsioni i kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq, përkatësisht lidhja e tij me ish-kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat dhe me kompanitë azerbajxhanase dhe kineze.
Në periudhën para se të vritej, Galizia po hetonte ndërtimin e një “parku të energjisë prej erës” mes Ulqinit dhe Tivarit.
Avokati i familjes së saj, Jason Azopardi, vlerëson se ajo është vrarë për të mos nxjerr në shesh detaje nga korrupsioni që lidhet me këtë ndërtim.
Biznismeni
Qysh më 2015, Galizia nisi të përmend lidhjet e Podgoricës me Maltën. Fjala është “për një prej shteteve me korrupsionin më të lartë”, kishte shkruar Galizia për Malin e Zi, teksa përcolli lajmin për marrëveshjen që kompania malteze Enemalta të blejë “Parkun e erës” mes Ulqinit e Tivarit, i njohur me emrin “Mozhura”.
“Kryeministri dhe vartësi i tij i korruptuar Conrad Mizi (ministër i energjetikës), aktualisht diçka po përziejnë në Mal të Zi. Për këtë nuk do të befasoheni t’ju them se Milo Gjukanoviq ka fituar çmimin e personit të vitit për krim dhe korrupsion të organizuar”, kishte vazhduar Galizia me shkrimin e saj.
Djali i saj thotë se para vrasjes, ajo kishte hulumtuar lidhjet e zyrtarëve azerbajxhanas, të Gjukanoviqit, të ish-kryeministrit maltez Muscat, të ish-ministrit Mizzi dhe shefit të kabinetit të Muscatit, Keith Schembri.
Ekzistojnë, thotë Matthew Galizia, indikacione se banka Universal Capital është e përfshirë në këtë rast, pasi Yorgen Fenech, biznesmen i akuzuar për vrasje, ka pranuar para nga burime që janë të lidhura me krimin dhe kanë llogari në këtë bankë.
“Llogaria në këtë bankë ndoshta është shfrytëzuar si fond i zi për korrupsion, e këtë do të duhej ta hetonin trupat kompetente të Evropës dhe SHBA-së”, tha Galizia.
Sipas tij, projekti “Mozhura” është shembulli i rrjetit të krimit të organizuar nga disa burrështetas dhe biznesmenë “që të na vjedhin para syve”.
“Ky projekt është parë si i imët në procesin e privatizimit. Pas mashtrimit të bërë në Maltë me projektin Elektrogas, krimi u fut edhe në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut”, tha Galizia për “Vijesti”.
Faktin se parlamenti malazez po refuzon të krijojë një këshill për hetimin e “Mozhuras”, Galizia e sheh si “shërbim të ariut”.
“Fuqia dhe ndikimi me kohë do të dobësohen”, thotë Galizia.
Mendon se BE-ja do të duhej t’i bënte presion Malit të Zi që të ballafaqohet me krimin dhe të bëjë reforma të vërteta para se t’ia japë të drejtën e anëtarësimit.
Udhëtimet
Intervista e tij ngjalli shumë kritika. Koalicioni “E zeza mbi të bardhë” tha se kjo është vetëm edhe një dëshmi se hetimi për vrasjen e gazetares malteze çon në adresë të Milo Gjukanoviqit.
Ky koalicion akuzoi kreun shtetëror malazias se ishte i përfshirë në korrupsionin që ndodhi në këtë projekt.
“Mozhura aktualisht është afera më e madhe korruptive që po dërrmon BE-në. Vetëm përmes një hetimi ndërkombëtar mund të vijmë deri te e vërteta. Në këtë mashtrim, të cilin po e paguajnë qytetarët malazezë, janë të përfshirë zyrtarë nga shumë shtete. Por ajo që e ka lejuar këtë korrupsion brutal, është definitivisht vendimi i Qeverisë së Malit të Zi që t’u japë 100 milionë euro subvencione pronarëve të këtij projekti. Pa këtë, ‘Mozhura’ nuk do t’i interesonte askujt”, thuhet në komunikatën e koalicionit “E zeza mbi të bardhën”.
E Dritan Abazoviq, kryetar i Lëvizjes qytetare URA, shkon edhe një hap tutje, duke thënë se qytetarët përmes faturave të rrymës kanë paguar edhe për vrasjen e gazetares malteze.
“Gjukanoviq, derisa ishte kryeministër, e goditi këtë punë shumë të dëmshme për qytetarët, derisa Branimir Gvozdenoviq teknikisht e realizoi. Duhet të sqarohet pse gjatë kohës sa po përgatitej ky projekt, udhëtoi me dhjetëra herë në Maltë dhe pse ky projekt ishte i rëndësishëm për të”, thotë Abazoviq.
Këshilltarët
“Është më shumë se indikative, që i biri i gazetares së vrarë ka përfshirë në këtë lidhje edhe llogarinë bankare të biznesmenit grek me pasaportë malazeze Petros Statis, i cili kontrollon një pjesë të mediave në Mal të Zi. E këto media mbrojnë punën dhe figurën e Gjukanoviqit. Ky detaj ka munguar në kompletimin e mozaikut”, shpjegohet nga koalicioni “E zeza mbi të bardhën”.
Në Maltë për shkak të vrasjes së gazetares, kanë rënë qeveri. Kryeministri Muscat iku vetëm në fund të vitit të shkuar. Por nuk ka shkuar larg. Ka mbetur në cilësinë e këshilltarit politiko-financiar në Qeveri.
Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë (Galizia e quante Mizzin, vartësin e tij të korruptuar), kanë dhënë dorëheqjen.
Mandati i Muscatit është përcjell me shumë afera, si skandali me privatizimin e një fabrike energjetike, miratimi që disa individë të marrin përsipër tri spitale të mëdha publike si dhe lejen që Enemalta të investojë “Parkun e energjisë së erës” në Mal të Zi (e bleu me çmim tre herë më të lartë, e më pas e shiti). Por këto ende nuk janë hetuar dhe duhet shumë punë.
Njeriu më i pasur më Maltë, Yorgen Fenech, drejtor i kompanisë maltezo-gjermano-azerbajxhanase “Electrogas”, fitoi me miliona euro nga shitja e “Mozhuras”.
Besohet se Galizia këtë e vërejti dhe për këtë u vra. Sot Fenech është i akuzuari kryesor për këtë vrasje, por ai po e mohon krimin.
I biri i Galizias nuk beson që ai është i vetmi përgjegjës për këtë vrasje dhe shpreson që e vërteta e plotë të dalë në shesh.
Matthew Caruana