Botë

Brukseli e bën obligative mbajtjen e maskave në gjithë hapësirat publike

Mbajtja e maskës është bërë obligative në gjithë hapësirat publike në kryeqendër të Belgjikës, Bruksel, nga sot, pas rritjes së rasteve me COVID-19 në vend, shkruan agjencia Reuters.

Brukseli, ku e kanë selinë Bashkimi Evropian dhe NATO, ka regjistruar mesatarisht nga 50 raste për 100 mijë banorë gjatë javës së kaluar.

Të gjithë në qytet, që ka popullatë rreth 1.2 milionë, tash duhet të mbajnë maska në park, në rrugë dhe vendet tjera publike, si dhe në hapësirat private që janë të qasshme për publikun, është thënë nga autoritetet e qytetit.

Deri më tash maskat kanë qenë obligative vetëm në vendet e ngarkuara publike dhe të mbyllura, si në qendra tregtare.

Rregulli i mbajtjes së maskës në Bruksel është një prej më strikteve në kryeqendrat e Evropës dhe ndjek një vendim të ngjashëm me atë nga autoritetet e Madridit në korrik. Në Paris mbajtja e maskës është e obligueshme në ambiente të hapura vetëm në vende të ngarkuara.

Belgjika është goditur rëndë nga pandemia, me afro 10 mijë të vdekur deri më tash.

Infeksionet janë rritur dukshëm në javët e fundit. Të martën Belgjika ka regjistruar më tepër se 60 raste për 100 mijë banorë gjatë dy javëve të fundit, krahasuar me 7.5 në Itali, 13 në Gjermani, 29 në Francë e 90 në Spanjë.

Britania e Madhe javën e kaluar ka paralajmëruar masë karantine për personat që vijnë nga Belgjika.

Fëmijët nën moshën 12-vjeçare, njerëzit që merren me sport apo punë fizike në hapësira publike, janë të përjashtuar nga obligimi i mbajtjes së maskave.