Botë

Tensione në Bjellorusi, arrestohen anëtarë të stafit të kandidates për presidente

Tensione janë shënuar sot në Bjellorusi derisa vendi po i mban zgjedhjet presidenciale. Tetë anëtarë të stafit të sfiduesit kryesor të presidentit autoritar janë arrestuar nga policia dhe një nga figurat kyçe të kampanjës ka ikur nga vendi.

Mbështetësit opozitarë dyshojnë se zyrtarë të zgjedhjeve do të manipulojnë rezultatet për t’i dhënë 65-vjeçarit, Alexander Lukashenko, një mandat të gjashtë. Protestat pritet të ndodhin pas mbylljes së votimit, ndërsa Lukashenko e ka bërë të qartë se nuk do të hezitojë të shtypë secilën demonstratë.

“Nëse provokon, do të marrësh të njëjtën përgjigje”, ka thënë ai, raporton AP.

Edhe pse janë edhe katër kandidatë të tjerë, përveç Lukashenkos, opozita është bashkuar rreth njërit: Sviatlana Tsikhanouskaya.

Kampanja e Tsikhanouskaya ka tërhequr shumë mbështetës, gjë e cila ka ngjallur një zhvillim të pazakonshëm në vend ku zërat e opozitës zakonisht janë të shtypur. Në një nga tubimet e saja në kryeqytet, janë mbledhur rreth 60,000 njerëz.

Në vitin 2010 gjatë zgjedhjeve presidenciale, protestuesit ishin rrahur dhe gjashtë kandidatët rivalë ishin arrestuar, tre prej të cilëve u mbajtën në burg për vite.

Tsikhanouskaya ka bërë thirrje për qetësi.

“Shpresoj se gjithçka do të jetë paqësore dhe se policia nuk do të përdorë forcë”, ka thënë ajo pas votimit të së dielës.

Veronika Tsepkalo, anëtarja kryesore e kampanjës së Tsikhanouskayas, thotë se kutitë e votimit mund të manipulohen.

“Për pesë netë askush nuk i ka mbikëqyrur kutitë e votimit, çka i jep autoriteteve mundësi për manovra”, i thotë ajo AP-së, disa orë para se të ikte nga vendi.

Tsikhanouskaya ka dalë kundër Lukashenkos për mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

Me 9,5 milionë njerëz, Bjellorusia ka më shumë se 68,500 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 580 vdekje, por kritikët akuzojnë autoritetet se po manipulojnë me numrin e vdekjeve.

Sipas exit-polleve lokale Lukashenko pritet të fitojë zgjedhjet me mbi 80 për qind të votave.