Botë

COVID-19 mund të mos çrrënjoset kurrë, por mund të kontrollohet

COVID-19 mund të mos çrrënjoset kurrë në tërësi, por masat parandaluese kundër përhapjes si dhe një vaksinë efektive mund ta mbajnë nën kontroll dhe të parandalojnë çrregullimin e madh të jetës.

Me më shumë se 4.7 milionë raste dhe 158,249 të vdekur përgjatë SHBA-së, dr Anthony Fauci i cili është eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në këtë shtet ka thënë të mërkurën se virusi “shumë ngjitës” vështirë se do të çrrënjoset nga planeti. Ky përfundim i ekspertit është në kundërshtim me deklaratat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump i cili të njëjtën ditë tha se virusi “do të largohet”, shkruan CNN.

Fauci tha se SHBA-ja mund të marrë kontrollin ndaj virusit me një vaksinë të mirë dhe me masa të rrepta sigurie, si maskat, larja e duarve dhe distancimi social.

“Do të duhet të shkojmë nëpër këtë fazë, dhe sezonin tjetër, nëse do të kemi vaksinë, nuk do të jetë më në pandemi, nuk do të çmobilizojë botën, nuk do të shkatërrojë ekonominë”, tha ai.

Së paku 39 shtete të SHBA-së kanë vendosur disa masa të cilat e bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskave, dhe vaksinat në zhvillim janë duke përparuar, me shpresa që do të arrijnë deri tek popullata e gjerë më 2021, ka thënë Fauci. Megjithatë, ky shtet nuk është duke iu përgjigjur në mënyrë të duhur kësaj krize, transmeton KOHA.

“Kemi pasur një përgjigje të pakoordinuar ndaj pandemisë”, tha Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në SHBA. “Por në përgjithësi, si shtet, jemi në një situatë ku duhet të marrim kontroll, dhe të ulim numrin e infektimeve sa më shumë që mundemi”, shtoi ai.