Botë

Shifra rekorde të rasteve me COVID-19 në Indi

India ka regjistruar 52.050 raste të reja me COVID-19, ndërsa ka raportuar edhe për 803 të vdekur si pasojë e virusit në 24 orët e fundit, njofton CNN.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Indi ka njoftuar për shifrat e reja. Është dita e gjashtë rresht që India ka raportuar mbi 50 mijë raste të reja. Shteti ka regjistruar deri më tash mbi 1.85 milionë raste me COVID-19, ndërsa kanë vdekur 38.938 sipas shifrave zyrtare.

586.298 raste janë aktive, ndërsa mbi 1.23 milionë pacientë llogariten të shëruar.

Në Indi, pacientët me simptome të buta apo të mesme nuk konsiderohen si aktivë pas dhjetë ditëve me simptome, nëse plotësojnë kriteret e caktuara. Nuk kërkohet një test për të konfirmuar nëse janë ende të infektuar. Ndërsa rastet më të rënda lirohen vetëm pas një testi negativ.

India është një nga vendet më të goditura në botë nga koronavirusi.

SHBA-ja kryeson si me raste të reja ashtu edhe për nga numri i të vdekurve si pasojë e virusit.
Por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerëson se SHBA-ja është më mirë tash. Ai ka thënë se India ka problem të jashtëzakonshëm.

“India ka problem të jashtëzakonshëm. Edhe shtetet tjera po kanë probleme”, ka thënë Trump.

SHBA-ja ka regjistruar mbi 4.7 milionë raste dhe mbi 155 mijë të vdekur.