Botë

Shqetësime rreth planit të Rusisë për vaksinim masiv nga tetori

Zyrtarët rusë kanë thënë se Rusia do të bëhet shteti i parë që do të aprovojë një vaksinë kundër COVID-19, duke rritur shqetësimet për efikasitetin e sigurinë e vaksinës.

Ministri i Shëndetësisë i Rusisë, Mikhail Murashko, ka thënë të shtunën se Rusia planifikon të fillojë programin e vaksinimit të masës kundër COVID-19 në Rusi nga tetori i këtij viti.

Ai ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA, se testimet e vaksinës, të zhvilluar nga Qendra Nacionale e Hulumtimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji, Gamaleya, kanë përfunduar.

Më herët ishte njoftuar se vaksina pritet të marrë aprovimin nga gushti. Murashko ka thënë se mjekët dhe mësuesit do të marrin dozat e para të vaksinës. Por përparimet që ka bërë Rusia me vaksinën janë pritur me skepticiziëm nga zyrtarët shëndetësorë në SHBA dhe Evropë. Ata frikësohen se Rusia po nxiton në tentim për të “arritur fitore”, ngjashëm me garën e dikurshme hapësinore gjatë Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

Rusia nuk ka publikuar të dhëna shkencore për testimet e vaksinës. Të premten, eksperti i SHBA-së për sëmundje infektive Anthony Fauci, ka shprehur dyshimin për procesin e testimit të vaksinës që po prodhohet në Rusi dhe një në Kinë.