Kompanitë gjigande farmaceutike GlaxoSmithKline dhe Sanofi Pasteur kanë lajmëruar se do të prodhojnë 100 milionë doza të vaksinës së tyre eksperimentale kundër Covid-19 për SHBA-në.
SHBA-ja do të paguajë deri në 2.1 miliardë dollarë “për zhvillimin përfshirë testimet klinike, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës”, thanë këto kompani në një deklaratë të përbashkët, raporton AP.
Qeveria e SHBA-së e ka opsionin e sigurimit të 500 milionë dozave shtesë si pjesë e programit Operation Warp Speed, transmeton KOHA.
“Kandidatët e vaksinave që po mblidhen nga programi Operation Warp Speed i rritë mundësitë e së paku një vaksinë të sigurt dhe efektive deri në fund të vitit”, tha Sekretari i Shërbimeve Shëndetësore Alex azar në një deklaratë.
Në fillim të javës që shkoi qeveria e Britanisë nënshkroi një marrëveshje për 60 milionë doza të një vaksine potenciale kundër koronavirusit e cila do të del në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
“Nevoja globale për vaksinën në mënyrë që të parandalohet Covid-19 është shumë e madhe, dhe asnjë vaksinë apo kompani nuk do të arrijë të përmbushë kërkesat globale e vetme”, tha Thomas Triomphe, nënkryetari i Sanofi Pasteur.
Këto kompani thanë se po mbajnë biseda edhe me Komisionin Evropian.