Botë

Trumpi i zhurmshëm, bizneset e tij blejnë mallra kineze

Presidenti amerikan e ka paraqitur veten si person të ashpër ndaj Kinës dhe ka premtuar se bisedimet tregtare me Pekinin do t’u sjellin përfitime ekonomike amerikanëve.

Mirëpo, pronat e Trumpit kanë vazhduar të kontribuojnë në deficitin tregtar me shtetin të cilin e kritikon vazhdimisht.

Që prej muajit shtator, pronat e Trumpit kanë importuar në Shtetet e Bashkuara më shumë se tetë tonë mallra nga Kina, transmeton KOHA.

CNN-i ka raportuar të dhënat e doganave amerikane që tregojnë se me mallin kinez ka dekoruar pronat, teksa vetë presidenti ka kërkuar të zhveshë Kinën.

Më shumë se gjashtë tonë tavolina janë blerë për Trump International Hotel në New York. Në të njëjtën ditë Trumpi kishte shkruar në Twitter se SHBA-ja po përparonte në bisedimet me Kinën.

Në muajin maj, një anije me dy tonë rafte druri dhe të xhamit ishte e rezervuar për Klubin e Golfit në Los Angeles. Këto mallra erdhën nga Shangai, ndërkohë Trumpi i është qepur Kinës për mënyrën e menaxhimit të pandemisë. E ka quajtur shtet të paaftë dhe e ka akuzuar për vrasjet masive me virus, vetëm dy ditë pasi raftet arritën në Los Angelos.

Trumpi ka thënë se perandorinë e bizneseve janë duke e menaxhuar djemtë e tij, por nuk e ka lënë tërësisht kontrollin e kompanive në të cilat ende ka aksione dhe, sipas CNN-it, mbetet e paqartë se çfarë roli ka në biznesin e përditshëm të perandorisë së tij.

Importi i mallrave kineze në pronat e Trumpit është në kundërshtim me ekonominë nacionaliste të sloganit të tij për ta bërë Amerikën e fuqishme.

Në vitin 2017 urdhëroi agjencitë federale që të blejnë vetëm produkte amerikane, ndërkaq blerjet e mallrave kineze nga bizneset e Trumpit janë mesazhe krejt të kundërta me ato që i kanë dhënë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar që nuk duan të bëjnë biznes me Kinën.

Prokurori i përgjithshëm, William Barr, akuzoi Hollywoodin se po ndihmon në fuqizimin e Kinës dhe paralajmëroi bizneset amerikane në lidhje me promovimin e politikave miqësore me Kinën.

Trumpi gjithashtu akuzoi rivalin e tij demokrat Joe Biden. Në një konferencë deklaroi se krejt karriera e Bidenit ka qenë dhuratë për Partinë Komuniste të Kinës dhe shkatërrimtare për punëtorët amerikanë.

Bideni i është kundërpërgjigjur duke e akuzuar Trumpin për dështim kundër Kinës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bideni ka thënë se Trumpi injoroi paralajmërimet e ekspertëve shëndetësorë dhe agjencive të inteligjencës, për t’u besuar më shumë liderëve të Kinës.

Shteti kinez është bërë tema më e përfolur e fushatës së zgjedhjeve presidenciale.

Në shtytjen e fundit për të dënuar Kinën, zyrtarët e administratës së Trumpit kanë dhënë idenë që anëtarëve të partisë komuniste t’u pamundësohet hyrja në SHBA.

Nuk është e qartë se sa larg do të shkojë Trumpi në përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën për shkak të efekteve negative që mund të ketë ndaj ekonomisë amerikane.

Gjatë javës së kaluar, presidenti amerikan ka deklaruar se nuk është i interesuar në fazën e dytë të marrëveshjes tregtare me Pekinin. Ka thënë se Kina është duke blerë shumë produkte amerikane, por nuk ka dhënë ndonjë shifër për këtë.

Gjithashtu nuk e ka ndërmend të bisedojë as me presidentin e Kinës për shkak se shtetin kinez e mban përgjegjëse për përhapjen e koronavirusit.

Kur u arrit faza e parë e marrëveshjes tregtare në muajin janar, Trumpi kishte premtuar se do të ishte siguri për ekonominë amerikane.

Mirëpo, që nga viti 2018, kur filloi beteja tregtare me Kinën, SHBA-së i ka kushtuar me humbjen e 300 mijë vendeve të punës.