Botë

Rihapja në SHBA “nuk shkoi sipas planit”

Foto: Frederic J Brown/AFP/Getty Images

Rritja e numrit të të infektuarve ngjashëm sikur në fillim të pandemisë ka bërë që disa shtete të SHBA-së të rikthejnë kufizimet dhe të mbyllin ekonomitë.

Rajoni jugor i SHBA-së që shkon nga Kalifornia e jugut e gjer në Floridë në anën tjetër të kontinentit janë goditur shumë, dhe tani edhe shtetet tjera më të vogla po tërheqin rihapjet dhe po rivendosin kufizimet.

Shteti i New Mexico sërish ka ndaluar shërbimin e restoranteve dhe kafeneve në ambiente të mbyllura. Nevada ka mbyllur kafenetë në qytetet me shpërthime të mëdha. Dhe në Oregon, janë ndaluar tubimet e më shumë se 10 njerëzve në ambiente të mbyllura. Arizona dhe Texas kanë kthyer kufizimet për kafenetë dhe restorantet në fillim të korrikut, shkruan The Guardian.

Kalifornia, që është shteti me më së shumti banorë, në mënyrë dramatike i ktheu kufizimet. Teatrot, restorantet dhe kafenetë u ndaluan në tërësi këtë javë. Si shtesë, edhe shkollat do të mbahen vetëm nëpërmes internetit këtë vjeshtë.

Florida, edhe pse është duke përjetuar rritje marramendëse të rasteve, ka insistuar në rihapjen e bizneseve, dhe madje hapi edhe Disney World, atraksionin turistik i cili tërheqë me mijëra vizitorë në ditë.

“Plani i rihapjes do të ishte shumë i mirë nëse çdo gjë do të shkonte si duhet” tha majori i Miamit në Florida Francis X Suarez në një takim publik të martën me guvernatorin Republikan të shtetit Ron Desantis. “Por mendoj që gjërat nuk kanë shkuar sipas planit”.

Zyrtarët republikanë kanë shtyrë konventën kombëtare, ku Donald Trump formalisht do të merr nominimin nga partia e tij, nga Karolina e Veriut në Floridë, për t’iu shmangur kërkesave për distancim social dhe maska ngase në Florida nuk janë të detyrueshme. Por më rastet në rritje në këtë shtet, zyrtarët vendosën që kjo ngjarje të mbahet në ambient të hapur, ka raportuar New York Times.

Ndryshe nga shtetet si New York, ku ekzistojnë matjet të cilat nëse tejkalojnë kufirin do të shkaktojnë mbyllje të sërishme të ekonomisë, shteti i Floridas nuk ka një plan të tillë.

Sidoqoftë, kthimi i disa kufizimeve në jug të SHBA-së ka shkaktuar shqetësime tek popullata. Në New Mexico, pronarët ë bizneseve protestuan kundër urdhrit të qeverisë për mbyllje. Ndërsa prindërit në Jacksonville të Floridës kërkuan rihapjen e shkollave, dhe u mbajtën shumë protesta kundër ligjit për mbajtje të detyrueshme të maskave, transmeton KOHA.

Në kontrast me shtetet në jug dhe perëndim, disa pjesë të ekonomive në veriperëndim nuk u rihapën kurrë. Në New York, teatrot janë të ndaluara deri së paku në dimër, dhe kafenetë dhe restorantet nuk mund të shërbejnë ushqim brenda.

Gjersa shteti i New Yorkut, që dikur ishte epiqendra e pandemisë në SHBA, regjistroi vetëm 677 raste të dielën e kaluar, Florida raportoi më shumë se 15,000.

“Këta numra duhet të na mbushin me shpresë, por është vështirë të festohet fitorja, sepse kemi aq shumë përpara neve”, tha majori i New Yorkut, Bill de Blasio. “Sëmundja është larg nga të qenit e mposhtur”, shtoi ai për agjencinë e lajmeve NPR.