Botë

Mary Trump: Donald Trumpi është plotësisht i paaftë për të qenë president

Presidenti amerikan, Donald Trump, është “plotësisht i paaftë” që t’i udhëheqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka pretenduar mbesa e tij, Mary Trump, teksa ka folur lidhur me librin e saj tejet të kritikuar që flet për jetën e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo pasi një gjykatës amerikan vendosi se ajo mund të flasë lidhur me librin, pasi e shfuqizoi urdhrin që e ndalonte publikimin dhe distribuimin e veprës. Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, Mary Trump, ndryshe psikologe, ka thënë se Trumpi “është plotësisht i paaftë për ta udhëhequr SHBA-në” dhe se “është skajshmërisht e rrezikshme që t’i lejohet atij ta bëjë një gjë të tillë”.

Në librin e saj, ajo shkruan madje se Trumpi është edhe narcizoid. Me vendimin e tij, gjykatësi ka shfuqizuar urdhrat e Trumpit për bllokimin e përkohshëm të librit që i tregon të gjitha për presidentin dhe që tashmë ka shkaktuar bujë të madhe. Libri “Shumë, por kurrë mjaftueshëm: Si e krijoi familja ime burrin më të rrezikshëm të botës” ishte planifikuar që të botohej në fund të korrikut. Por shtëpia botuese ka njoftuar javën e shkuar se ai do të dalë në shitje të martën.