Botë

Greqia: I dhimbshëm vendimi për xhaminë

Athina zyrtare ka shprehur të martën keqardhjen për vendimin e Turqisë që ta shndërrojë nga muzeu në xhami monumentin ikonik të Stambollit, Aja Sofia.

Duke e komentuar vendimin e javës së shkuar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se kthimi i Aja Sofias në xhami është “i dhimbshëm për të krishterët ortodoksë të Greqisë dhe plagë për qytetarët e gjithë botës”.

“Kjo nuk është një çështje greko-turke, nuk është as çështje evropiano-turke, është një çështje globale për të gjithë njerëzimin”, ka thënë Mitsotakis.

Ankaraja tashmë ka përplasje të thella me Greqinë dhe Qipron lidhur me rastin e shpimeve për naftë në rajon. Ndërkaq vendimi i gjykatës së Stambollit për monumentin ka nxitur kritika nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia dhe vendet e tjera perëndimore, si dhe liderët ortodoksë.