Botë

Mbi 12 milionë të infektuar në botë, në SHBA mbi 65 mijë raste në 24 orë

Descriptive Text

Pandemia e koronavirusit shënon një rekord të ri, me 12 milionë njerëz të infektuar në gjithë botën sipas të dhënave të universitetit John Hopkins.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të kryesojnë listën e vendeve më të prekura, me mbi 3.2 milionë të infektuar ose një të katërtën e rasteve globale. Vetëm në 24 orët e fundit u shënuan më shumë se 65 mijë raste të reja, shifra më e lartë që prej shpërthimit të pandemisë, transmeton A2CNN.

Të paktën pesë shtete amerikane, Kalifornia, Teksasi, Tenesi, Virxhinia Perëndimore dhe Utah shënuan një numër rekord infektimesh, e zyrtarët të shëndetësisë paralajmërojnë se në disa vende spitalet janë prag tejkalimit të kapaciteteve.

COVID-19 u ka marrë jetën më shumë se 132 mijë persona në SHBA, ¼ e viktimave në shkallë globale. Niveli i vdekshmërisë është rritur gjatë ditëve të fundit, me një mesatare prej 900 jetësh të humbura. Ndërsa presidenti Donald Trump ia faturon testimit masiv, numrin e lartë të të prekurve, eksperti i sëmundjeve infektive Anthony Fauci pohon se situata është shumë e vështirë dhe sfiduese dhe se disa shtete ishin rihapur shumë shpejt.

Fauci foli edhe për përpjekjet e ethshme për krijimin e një vaksine, dhe tha se ka shpresë që ajo të jetë gati në fillim të 2021-shit.

“Të dhënat fillestare të testeve që po zhvillohen te njerëzit na bëjnë optimistë se në fillim të vitit 2021 do të kemi një vaksinë në nivel të caktuar efikasiteti” deklaroi Fauci.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një komision të pavarur që do të shqyrtojë reagimin ndaj pandemisë. Shefi i OBSH tha se komisioni do t’i japë mundësi botës “të kuptojë të vërtetën për rrjedhën e ngjarjeve dhe zgjidhjet për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.

Njoftimi i shefit të OBSH-së vjen pasi Shtetet e Bashkuar nisën zyrtarisht procedurat për shkëputjen nga organizata.