Botë

Kritikohet deklarata e presidentit brazilian se virusi “nuk i prek të rinjtë”

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka thënë se të rinjtë nuk duhet të frikësohen nga koronavirusi, por 3.500 persona nën moshën 40 vjeç tashmë kanë vdekur nga Covid-19 në këtë shtet.

Presidenti brazilian kishte njoftuar se është infektuar me koronavirus, por sërish e kishte quajtur “grip të butë”, shkruan “The Guardian”.

“Pos nëse kanë ndonjë sëmundje serioze, shanset që personat nën moshën 40 vjeç të vuajnë nga ndonjë pasojë serioze nga infektimi, janë zero”, ka thënë Bolsonaro, duke insistuar se ka ardhur koha për të hapur ekonominë e Brazilit, pavarësisht se numri i të vdekurve ka shkuar përmbi 66.000.

Por ekspertët kundërshtojnë idenë e Bolsonaros se të rinjtë nuk janë të rrezikuar.

“Komentet e presidentit nuk pinë ujë, porosia duhet të jetë që çdo kush duhet të mbrohet”, ka thënë Carlos Machado, shkencëtar nga instituti i respektuar shëndetësor Fiocruz ne Rio.

Por familja e Hugo Dutras, një 25-vjeçari me shëndet të mirë, i cili vdiq më 18 prill pas tetë ditëve në ventilator, thotë se Bolsonaro është indiferent ndaj dhimbjes së familjeve që kane humbur fëmijët. “Nëse të rinjtë nuk janë te rrezikuar, pse ka vdekur fëmija ynë”, ka thënë babai 56 vjeç.

Në një intervistë me gazetën O Globo, Renato Kfouri, nga Shoqata Pediatrike e Brazilit e quajti komentin e Bolsonaros si një shtrembërim të madh, duke thënë: “Një e treta e rasteve përfshin fëmijë mbi moshën 10 vjeç, adoleshentë dhe të rritur nën moshën 60 vjeç”.

“Kjo sëmundje është e rrezikshme për të gjithë, dhe nuk mund të parashikohet se kush do të sëmuret keq”, shtoi ai.

Bolsonaro, 65 vjeç, vazhdimisht ka shpërfillur rrezikun e pandemisë dhe nuk ka marrë masa për distancimin publik edhe pasi që Brazili u bë shteti i dytë më i prekur pas SHBA-së, me më shumë se 66.000 të vdekur dhe më shumë se 1.6 milionë raste të konfirmuara, transmeton KOHA.