Botë

Trumpi në rrezik nga koronavirusi

Descriptive Text

Një ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë në mandatin e presidentit George W Bush ka thënë se presidenti aktual Donald Trump është duke “flirtuar me katastrofën” rreth vendimit të tij që të mbajë tubime zgjedhore pa mbajtur maskë mbrojtëse.

Mjeku Jonathan Reiner ka thënë se Trumpi ka shumë gjasa që të infektohet me koronavirus nëse vazhdon të mbajë qëndrimet kundër mbajtjes së maskave. “Sa më shumë që flirton me virusin, aq më e lartë është mundësia që të infektohet”, ka thënë Reiner, që paralajmëroi se mosha dhe pesha trupore e presidentit ia rrisin për 20 për qind gjasat e vdekjes në rast të infektimit me koronavirus.

Mesazhi i mjekut u bë vetëm një ditë pasi presidenti ka njoftuar se do të udhëtojë në Dakotën Jugore për festën me fishekzjarrë në Mount Rashmore.

Ata që janë të ftuar nuk janë të obliguar të mbajnë maska dhe ta respektojnë distancën sociale. Në qershor, Trumpi mbajti një tubim zgjedhor në Oklahoma dhe, pas këtij tubimi, me dhjetëra pjesëtarë të ekipit të fushatës rezultuan pozitivë në testet për koronavirus.