Botë

Në Zelandë, ushtria do të mbikëqyrë karantinën e rivendosur

Zelanda e Re ka angazhuar ushtrinë që të mbikëqyrë masat e karantinës pasi në vend u raportuan raste të reja të koronavirusit, raporton Anadolu Agency.

Gjatë një adresimi në konference për shtyp në Auckland, të transmetuar drejtpërdrejt, kryeministrja Jacinda Ardern tha se nuk mund shembet ajo që është arritur me mund të madh.

Duke njoftuar masa të reja për të ndaluar çdo përhapje të mëtejshme të infeksionit vdekjeprurës, Ardern emëroi ndihmës shefin e Mbrojtjes, kapitenin e parë të Forcave Ajrore, Digby Webb, për të mbikëqyrur të gjitha masat e karantinës, përfshirë hyrjen në kufij dhe menaxhimin e objekteve të izolimit.

Zelanda e Re kishte menaxhuar me sukses përhapjen e infeksionit deri të hënën, para se të zbuloheshin edhe dy raste të tjera të martën pas 24 ditëve pa infeksione të reja.

Dy gra, të dyja nga e njëjta familje, rezultuan pozitive pasi mbërritën nga Britania e Madhe përmes Australisë më 7 qershor. Atyre iu dha leja e posaçme për të marrë pjesë në funeralin e prindit të tyre pa u testuar për koronavirusin.

Vendi ishullor ka 1.506 raste të konfirmuara, kurse numri i të shëruarve mbetet në 1.482. Si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 22 persona deri më tash.

"Ne kemi nevojë për masa më të ashpra, kemi nevojë për besim dhe kemi nevojë për disiplinën që ushtria mund të sigurojë", tha Ardern.

"Është krejtësisht e papranueshme që procedurat për të cilat jemi këshilluar të mos zbatohen. Detyra jonë është ta rregullojmë këtë. Nuk ka vend për gabime", shtoi ajo.

Javën e kaluar, vendi ishull me afro pesë milionë njerëz hoqi të gjitha kufizimet, duke deklaruar se vendi ishte pa virus. Kjo ishte kryesisht për shkak të kufizimeve të rrepta të bllokimit, në të cilat shumica e bizneseve përveç shërbimeve themelore u mbyllën, dhe njerëzit u urdhëruan të qëndronin brenda.