Botë

Mbyllet shkolla në Holandë pasi mësuesit rezultojnë pozitivë për COVID-19

Një shkollë fillore në Holandë në qytetin e Hagës është mbyllur të mërkurën pasi dy mësues kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe shtatë nxënës kanë pasur probleme gastrointestinale, kanë njoftuar autoritetet e qytetit.

Është shkolla e parë që është mbyllur sërish pasi Holanda, që ka raportuar mbi 46 mijë raste me COVID-19 dhe 5977 të vdekur, ka rihapur shkollat fillore më 11 maj me kapacitet të reduktuar si pjesë e lehtësimit të masave.

Shkollat e mesme janë rihapur të martën.

Ndonëse shtetet e Evropës Perëndimore po i zbutin masat ndërsa numri i të vdekurve dhe të infektuarve me COVID-19 po ulet, disa ekspertë frikësohen se relaksimi i tepërt do të çojë të vala e dytë.

Rreth 500 nxënës të shkollës në Hagë do t’i kthehen mësimit online për të minimizuar rrezikun shëndetësor.

“Dy mësuesit kanë zhvilluar simptoma gjatë fundjavës dhe kanë rezultuar pozitivë sot”, ka thënë Eke Wolters, zëdhënëse e qarkut shkollor “Haagse”, duke shtuar se ata nuk janë kthyer në punë që kur janë sëmurë.

Mësuesit e sëmurë nuk i kanë mësuar nxënësit gjatë kësaj kohe, ka shtuar Wolters. Nxënësit që kanë pasur probleme me dhembje barku, që janë potencialisht simptoma të hershme të COVID-19, po testohen.