Botë

Gjermania do të heq kufizimet në udhëtim për shumë vende të Evropës nga 15 qershori

Gjermania do të heq kufizimet në udhëtim për shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian (BE), si dhe Britaninë e Madhe, Islandën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin e Zvicrën nga 15 qershori, në rast se nuk ka ndalesa të hyrjes apo mbyllje të nivelit të lartë në ato shtete, ka njoftuar ministri i Jashtëm, Heiko Maas, raporton agjencia Reuters.

Duke folur për gazetarë pas takimit të kabinetit të mërkurën, Heiko Maas, ka thënë se gjitha shtetet në fjalë kanë plotësuar këto kritere të kërkuara me përjashtim të Norvegjisë, për shkak të ndalesës që ka për hyrje atje dhe Spanjës, ku ai ka shtuar se parlamenti pritet të vendos nëse do të shtyhet ndalesa në udhëtim.

Maas ka thënë se paralajmërimet për udhëtim do të zëvendësohen me udhëzime, duke shtuar se gjermanëve do t’i këshillohet të mos udhëtojnë në Britani nëse nuk është me rëndësi, derisa të jetë karantina 14-ditore në fuqi.

“Ne do të vazhdojmë të heqim ato paralajmërime për udhëtim varësisht se si situata do të zhvillohet”, ka thënë Maas, duke shtuar se do të mund të aplikohen kufizime të reja nëse një shtet regjistron më tepër se 50 të infektuar për 100 mijë banorë gjatë shtatë ditëve.

Matthhias von Randow, shef-ekzekutiv i Asociacionit Gjerman të Transportit Ajror (BDL), ka mirëpritur vendimin e qeverisë për të hequr kufizimet, të cilat i kishte vendosur në mesin e marsit si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Ky është një sinjal i mirë për shumë njerëz në Evropë që duan të shkojnë në pushime në verë apo të vizitojnë shokët e familjarët që jetojnë jashtë vendit. Po ashtu është lajm i mirë për 26 milionë të punësuar në industrinë evropiane të udhëtimit e turizmit”, ka thënë von Randow.