Botë

Italia rekruton vullnetarë për të kontrolluar turmat pas lehtësimit të masave

Qeveria e Italisë do të angazhojë rreth 60 mijë persona që të punojnë si vullnetarë për të zbatuar rregullat e distancës sociale, pasi gradualisht po heq kufizimet e vëna për shkak të koronavirusit. Skenat e tubimeve në rrugë gjatë fundjavës kanë ngjallë reagime, ka shkruar Reuters.

Italia gradualisht po heq bllokimin që është në fuqi prej marsit, duke lejuar udhëtimin në mes rajoneve dhe takimet në mes të shokëve. Po ashtu baret mund të shërbejnë pijë për aq sa distanca prej dy metrave respektohet.

Por qindra raste të reja me koronavirus dhe raste të reja të vdekjeve po regjistrohen çdo ditë, ndërsa autoritetet lokale janë të brengosur se numri i rasteve mund të rritet sërish nëse qytetarët nuk respektojnë rregullat.

Imazhet televizive në fundjavën e parë pas heqjes së bllokadës kanë treguar bllokada të trafikut në Napoli dhe turma në Milano. Rajoni i Venetos ka publikuar një video me imazhet e pacientëve në kujdesin intensiv për të bindur njerëzit që t’iu përmbahen masave.

“Ata që i japin shtytje jetës së natës po e tradhtojnë sakrificën e miliona italianëve“, ka thënë ministri i çështjeve rajonale, Francesco Boccia të hënën.

Boccia ka treguar se qeveria do të rekrutojë vullnetarë, që do të quhen asistentë qytetarë, për të ndihmuar në kontrollimin e turmave dhe për shërbim ndaj komunitetit, si për shembull për ofrimin e ushqimit për personat që kanë nevojë.

Herët në maj, kur Italia ka nisur me lehtësimin e masave, grupe të mëdha të njerëzve kanë vërshuar parqet dhe një arenë të Milanos të goditur rëndë nga koronavirusi.

Kryetari i qytetit të Milanos, Giuseppe Sala ka thënë të hënën se është i frustruar nga disa njerëz që dështojnë t’iu përmbahen masave, duke shtuar se është e papranueshme që të përsëritet ajo që ndodhi në fundjavë.