Botë

Spanja heq ndalesën për fluturimet nga Italia

Spanja ka hequr sot masat e ndalimit të të gjitha fluturimeve direkte dhe të anijeve nga Italia, që ishin në fuqi që nga 11 marsi për shkak të pandemisë së koronavirusit, raporton Reuters.

Udhëtarët nga Italia sidoqoftë duhet të mbajnë karantinë dy-javore si të gjithë vizitorët e huaj, gjersa është ende në fuqi gjendja emergjente në Spanjë.

Zvogëlimi i rasteve të vdekjeve nga koronavirusi ka inkurajuar Spanjën që të lehtësojë kufizimet, që ishin më të rreptat në Evropë, por ekonomia e cila varet shumë nga turizmi duhet të presë deri në fund të qershorit për t’i mirëpritur sërish turistët.

Kryeministri Pedro Sanchez po përgatitet të kërkojë nga parlamenti zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri në fund të qershorit, gjë e cila ka ndihmuar në zvogëlimin e numrit të të infektuarve, por ka shkaktuar kufizime të rrepta të lëvizjes nëpër kufij, duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë.

Radio Cadena Ser raportoi se kabineti do të mbajë një takim sot për të diskutuar zgjatjen e gjendjes emergjente deri më 27 qershor.

Në kulmin e shpërthimit të koronavirusit, Spanja po humbiste me mijëra qytetarë në ditë, gjersa spitalet e stërmbushura dhe shtëpitë e të moshuarve luftonin që t’i shpëtonin pacientët.

Numri ditor i vdekjeve të hënën ishte 59, shifra më e vogla brenda dy muajve, duke e çuar totalin në 27.709.

SHBA-ja, Britania, Italia dhe Franca kanë raportuar numër më të madh të të vdekurve si pasojë e COVID-19, sesa Spanja.