Botë

Në SHBA gati 70.000 të vdekur, OBSH-ja bën thirrje të rishikohen rastet e fundvitit

Presidenti Donald Trump, sot do të udhëtojë jashtë Washingtonit, për herë të parë pas më shumë se një muaj izolimi, ku do të vizitojë fabrikën e prodhimit të maskave Honeywell në Phoenix të Arizonës, ka raportuar NBC News.

Planet e tij të udhëtimit u bënë kur numri i vdekjeve në SHBA si pasojë e koronavirusit, iu afrua shifrës 70.000. Aktualisht në SHBA janë regjistruar 69.925 vdekje, përderisa në nivel global janë mbi 250.000.

Bizneset në disa shtete, përfshirë Floridan dhe Kalifornian, kanë rihapur dyert e tyre, me shpresë për të rikthyer klientët. Furnizuesi kryesor i mishit Tyson Foods ka raportuar rënie të madhe të të ardhurave dhe kjo ka ngjallur më shumë frikë në Amerikë për zinxhirin e furnizimit me ushqime.

Organizata Botërore e Shëndetësisë inkurajoi vendet që të kontrollojnë të dhënat e fundit të vitit 2019 në lidhje me rastet me COVID-19, duke thënë se kjo do t'i jepte botës një "pamje të re dhe më të qartë" të shpërthimit të virusit.

Komentet e zëdhënësit të OBSH-së Christian Lindmeier erdhën pasi një spital francez rishikoi mostrat e vjetra nga pacientët me pneumoni dhe zbuloi se person ishte prekur me koronavirus më 27 dhjetor, gati një muaj para se qeveria franceze të konfirmonte rastet e saj të para.

"Është e mundur që të gjenden më shumë raste të hershme", tha Lindmeier gjatë një konference në Gjenevë, duke thënë se raporti kishte dalë nga Franca.