Autoritetet lokale të Cadizit kanë kërkuar falje pasi spërkatën plazhin me zbardhues në tentim që të mbrojnë fëmijët nga koronavirusi, shkruan BBC-ja të mërkurën.
Kamionët spërkatën mbi dy kilometra të plazhit Zahara de los Atunes me zbardhues një ditë para se fëmijët të lejoheshin të dilnin për herë të parë që nga vënia e karantinës në këtë vend.
Ekologët vlerësojnë se ky veprim i ka bërë dëm të madh ekosistemit.
Spanja është goditur rëndë nga koronavirusi, pasi deri më tash kanë vdekur si pasojë e tij mbi 24 mijë persona, ndërkohë që janë infektuar mbi 235 mijë.
Maria Dolores Iglesias, udhëheqësja e grupit të vullnetarëve për mbrojtjen e mjedisit në regjionin e Cadizit, ka thënë se ka vizituar plazhin dhe se është tmerruar me atë që ka parë.
“Zbardhuesi i ka mbytur të gjitha me themel, asgjë nuk po vërehet, as insektet madje”, ka thënë ajo.