Botë

Trumpi “nuk mund ta kuptojë pse” u shtuan thirrjet rreth dezinfektuesve

Foto: Reuters

Presidenti Donald Trump nuk “mund ta kuptojë pse” janë shtuar thirrjet lidhur me dezinfektues në linjat telefonike të emergjencave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëkur ai sugjeroi injektimin e kësaj substance të rrezikshme në trupa të njerëzve si mënyrë për trajtimin e koronavirusit.

Mirëpo pas furisë së kritikave, Trumpi pretendoi se këtë gjë e kishte thënë me sarkazëm.

Guvernatorët në Michigan dhe Maryland e fajësuan Trumpin për shtimin e thirrjeve, transmeton KOHA.

Gjatë konferencës së fundit për shtyp të presidentit rreth COVID-19, gazetarët konfirmuan se me qindra persona kanë kërkuar udhëzime rreth komenteve të Trumpit.

“Nuk mund ta kuptoj pse”, tha presidenti gjatë konferencës. E kur u pyet nëse e merr përgjegjësinë për këtë gjë, ai u përgjigj prerazi: “Jo, nuk e marr”.

Mjekët dhe ekspertët e kritikuan ashpër propozimin e Trumpit, pasi dezinfektuesit janë substanca të rrezikshme dhe mund të jenë helmuese në rast se konsumohen.

Ndërkohë numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në SHBA i është afruar 1-milionëshit të martën, duke u dyfishuar brenda 18 ditësh dhe duke numëruar rreth një të tretën e të gjitha infektimeve në botë.