Frika nga prekja prej koronavirusit mund ta ketë shtrënguar liderin koreanoverior, Kim Jong-un, që t’i shmangë ceremonitë shtetërore dhe mos të paraqitet në publik.
Këtë gjë e ka thënë të martën një ministër koreanojugor, duke iu adresuar spekulimeve lidhur me vendndodhjen dhe shëndetin e liderit verior.
Spekulimet rreth Kimit kanë marrë hov pasi ai nuk u shfaq në ceremoninë e përvjetorit të gjyshit të tij dhe themeluesit të vendit, më 15 prill, transmeton KOHA.
Mediat kanë raportuar se lideri i shtetit më të izoluar në botë i është nënshtruar një operimi në zemër, derisa disa të tjera kanë shkruar edhe për vdekjen e tij.
Ministri koreanojugor i Bashkimit, Kim Yeon-chul, ka njoftuar se Kimi mund të mos jetë parë në publik shkaku i koronavirusit ndërsa raportimet për operimin e tij nga një ekip mjekësh kinezë i ka quajtur “lajme të rreme”.
Shteti me kontrollin më të sertë mbi informatat deri më tani nuk ka konfirmuar asnjë rast me COVID-19, derisa këtë e arsyetoi me masat e hershme dhe me mbylljen e kufijve për vizitorët e huaj.