Kanadaja e ka paralajmëruar administratën e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me ndalimin e furnizimit me maska të nevojshme nga reaguesit e parë në betejën ndërkombëtare kundër koronavirusit.
“Niveli i integrimit mes ekonomive tona shkon përtej kufijve në të dyja anët”, tha të premten kryeministri kanadez, Justin Trudeau. “Do të ishte gabim të krijohen bllokada apo të ulet sasia e tregtisë andej the këndej për mallra dhe shërbime esenciale, përfshirë mallrat mjekësore përgjatë kufirit tonë. Këtë po duam t’ia bëjmë me dije administratës amerikane tani”, deklaroi ai, raporton Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën angleze.
Kanadaja do t’i “tërheq të gjitha pengesat” për të parandaluar SHBA-në nga bllokimi i eksportit të disa pajisjeve mjekësore, tha zëvendëskryeministrja kanadeze, Chrystia Freeland, transmeton KOHA.
Administrata e Trumpit të enjten fuqizoi Aktin e Prodhimit për Mbrojtje për t’i kërkuar kompanisë 3M, një konglomerat shumëkombësh me bazë në Minnesota, që t’u japë prioritet porosive të bëra nga Agjencia Federale për Menaxhim të Emergjencave për respiratorë N95.
Ka “implikime të konsiderueshme humanitare nëse ndërprejmë furnizimin me respiratorë për punonjës shëndetësorë në Kanada dhe në Amerikën Latine, ku ne jemi furnitori kyç me respiratorë”, ka thënë të premten kompania përmes një komunikate. “Veç kësaj, nëse SHBA-ja ndalon tërë eksportin e respiratorëve të prodhuar brenda, kjo me gjasë do të bëjë që edhe vende tjera të kundërpërgjigjen njëjtë, siç kanë bërë tashmë disa. Nëse kjo do të ndodhte, totali i respiratorëve në dispozicion për SHBA-në në të vërtetë do të ulej”.
Të enjten, Trumpi tha se njerëzit mund të vendosin shalle në fytyrat e tyre në vend të maskave tradicionale.
Pandemia ende s’e ka mbërritur kulmin në SHBA, pasi Shtëpia e Bardhë ka parashikuar se në dy muajt e ardhshëm, deri në 240,000 njerëz mund të vdesin në vend si pasojë e koronavirusit të ri.