Në krejt kontinentin evropianët po përballen me një mori kufizimesh të lirive të tyre në kohën kur autoritetet po e kanë të vështirë që ta frenojnë përhapjen e mëtejshme të koronavirusit të ri. Korrespodentët e BBC-së përshkruajnë sfidat në qytetet ku jetojnë.
Spanjollët po bëjnë çmos për kapërcimin e krizës
Guy Hedgecoi, reporter i televizionit britanik në Madrid, shkruan se frika dhe paqartësia kanë shtyrë qytetarët që të respektojnë masat e mbylljes kombëtare, duke mos dalë nga shtëpitë pa pasur ndonjë shkak të arsyeshëm.
Madridi është kthyer tashmë në zemër të pandemisë së Spanjës. Me gjysmën e vdekjeve në vend të raportuara në kryeqytet, hotelet dhe sallat e mëdha të konferencave janë kthyer në spitale të improvizuara dhe një qendër sportive e sporteve të akullta është kthyer në morg.
Pak myshterinj hyjnë e dalin nga supermarketet dhe rrinë një metër larg njëri-tjetrit tek arka. Në barnatore lejohen vetëm një ose dy persona njëherësh, derisa njerëz me maska presin jashtë në radhë.
Policia ka zbatuar kufizime dhe mijëra qytetarë janë gjobitur. Por reagimi ka qenë kryesisht pozitiv dhe hashtagu “rri n’shpi” është kthyer në slogan fushate për vetëdijesim të qytetarëve rreth rolit të tyre për kapërcimin e krizës. Shërbimet shëndetësore kanë krijuar edhe platforma interneti që do të ofrojnë këshilla për të përballuar izolimin dhe për t’u marrë me fëmijët dhe prindërit.
Gjyshërit kanë rol të rëndësishëm për nipat e mbesat në Spanjë dhe ka një mirëkuptim të pleqve që të mos rrinë me fëmijë nga frika e përhapjes së virusit.
Në tetë të mbrëmjes spanjollët duartrokasin punëtorët shëndetësorë që po luftojnë koronavirusin.
Heshtja mbisundon në qytetin e përjetshëm
Nga dritaret e banesave mund të shihni njerëz që presin në radhë para hyrjes së një supermarketi në Romë. Dhe nëse janë vetëm dhjetë persona, atëherë duhet të pritet deri në gjysmë ore që t’iu ardhur radha për t’u shërbyer një nga një.
Njerëzit presin në qetësi, por ndonjëherë ndërrojnë ndonjë llaf, duke rrëfyer përvojat e tyre surreale. Nuk ka ngutje ose blerje në shenjë paniku. Në raftet e letrave higjienike ende ka boshllëqe, por krejt artikujt e tjerë i gjeni me bollëk.
Jashtë ende qarkullojnë tramvajet dhe autobusët – por janë pothuajse bosh. Thuajse janë shkretuar edhe rrugët me kalldrëm të Romës. Policia ndal qytetarët për të parë nëse kanë lejen e shkruar për dalje në hapësira publike. Janë kufizuar edhe hapësirat se ku mund të vraponi. Atmosfera ngjason me orët policore në kohë luftërash.
Zonat turistike janë heshtur. Në njëfarë forme, është privilegj të shohësh bukuritë e Romës në këtë qetësi absolute – por sikur të mos ndodhte për shkak të rrethanave katastrofale që kanë pllakosur kryeqytetin.
Franca gjen frymën kolektive
Derisa kjo pandemi po shtrihet me të madhe në pjesën lindore të Francës, ka zyrtarë që po luftojnë për të marrë sa më parë masa që të frenohet përhapja edhe më masive në krejt vendin. Po punohet në spitale e qendra mjekësore për të siguruar shtretër të kujdesit intensiv dhe maska, si dhe që të respektohet distacimi social.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni falas në KOHA Ditore) Kliko këtu për t'u regjistruar