Zvicra ka konfirmuar se numri i të infektuarve në këtë vend ka shkuar mbi 11.000, ndërsa i të vdekurve është 165, ka bërë të ditur Zyra Federale e Shëndetësisë Publike, përcjell Reuters të enjten.
Ndërkohë, Qeveria zvicerane dhe Banka Qendrore kanë nisur aplikimin e një programi të ndihmës për ekonominë e ngadalësuar shkaku i pandemisë.
Për kompanitë janë vënë në dispozicion 20 miliardë franga zvicerane. Ato mund të marrin kredi me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë ato deri në gjysmë milioni franga, janë pa interes.
"Credit Suisse” njoftoi se ka marrë 2.700 aplikime për kredi dhe deri të enjten në mesditë ka lëshuar gjysmë miliardi franga.
Qeveria u ka kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi, ka vendosur kontrolle të rrepta kufitare dhe ka ndaluat mbledhjet e më shumë se pesë personave, si masa mbrojtëse për frenimin e përhapjes së epidemisë.
Ushtria Zvicerane, e cila nuk është mobilizuar që nga Lufta e Dytë Botërore, po ndihmon punonjësit shëndetësorë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.