OBSH-ja thotë se distanca fizike e ngadalëson përhapjen, por s’na ndihmon të fitojmë kundër koronavirusit Foto: Reuters

OBSH-ja thotë se distanca fizike e ngadalëson përhapjen, por s’na ndihmon të fitojmë kundër koronavirusit

23 March 2020 20:11

Pandemia e koronavirusit po “përshpejton” në mbarë globin – dhe masat për distancë fizike nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë të hënën.

“Të kërkosh nga njerëzit të rrinë në shtëpi dhe të ndërmarrin masa tjera të distancës fizike janë mënyrë e rëndësishme për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të blerë kohë, por janë masa mbrojtëse që nuk do të na ndihmojnë të fitojmë”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një adresimi për mediat, raporton “New York Post”.

Tedros tha se vendet e prekura nga virusi duhet të zbatojnë edhe taktika tjera si izolimi dhe kujdesi për çdo rast të konfirmuar, sikurse edhe për gjetjen dhe karantinimin e të gjitha kontakteve të afërta të pacientit, transmeton KOHA.

“Për të fituar, na duhet ta sulmojmë virusin me taktika agresive dhe targetuese”, tha ai për gazetarët.

Tedros pranon se sëmundja infektive është përhapur me shpejtësi në mbi 300 mijë njerëz në “pothuajse çdo vend të botës”.

“Pandemia po përshpejton”, tha ai. “U deshën 67 ditë që të shkohet në 100,000 raste nga rasti i parë i raportuar, 11 ditë për të shkuar në 100,000 të tjerë dhe vetëm katër ditë për 100,000 të infektuarit e tretë”.

Po ai insistoi se nuk është tepër vonë për të ndaluar përhapjen e sëmundjes së rrezikshme, e cila për herë të parë u shfaq në dhjetor.

“Nuk jemi pengje të statistikave. Nuk jemi shikues të pashpresë. Mund të ndryshojmë trajektoren e kësaj pandemie”, tha ai.

Virusi përhapet përmes piklave, apo pikave të vogla të lëngshme, kryesisht përmes teshtimave dhe kollitjes.

OBSH-ja ka thënë se është e vetëdijshme për disa studime që janë bërë në disa vende e që po i shqyrtojnë kushtet e ndryshme mjedisore në të cilat COVID-19 mund të mbijetojë. Shkencëtarët janë duke vëzhguar me kujdes se si lagështia, temperatura dhe ndriçimi ultra-violet ndikon në sëmundjen sikurse edhe në atë se sa gjatë jeton ai në sipërfaqe të ndryshme, përfshirë metalin, raporton CNBC.

Javën e kaluar, zyrtarë shëndetësorë thanë se prindërit duhet t’i përgatisin fëmijët e tyre të mbrohen ndaj COVID-19 pasi që një studim i ri tregoi se bebet dhe fëmijët shumë të vegjël ndonjëherë mund të zhvillojnë simptoma të rënda.

Studimi i ri, i cili u publikua online në zhurnalin “Pediatrics”, monitoroi 2,143 raste fëmijësh që janë konfirmuar apo dyshuar me COVID-19 të raportuar në Qendrën Kineze për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve nga 18 janari deri më 8 shkurt. Më shumë se 90% të rasteve ishin raste asimptomatike, të lehta apo të moderueshme. Megjithatë, rreth 6% e rasteve të fëmijëve ishin të rënda apo kritike, në krahasim me 18.5% për të rriturit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme