Botë

Serbia ndalon të gjitha fluturimet komerciale, për herë të parë nga viti 1999

Foto: Reuters

Serbia të enjten ka ndaluar të gjitha fluturimet komerciale për dhe nga aeroporti i saj kryesor në Beograd, për herë të parë që nga viti 1999, pasi autoritetet shpallen gjendjen emergjente për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Aeroporti “Nikola Tesla” mbetet i hapur vetëm për fluturime humanitare dhe aeroplanë me leje speciale. Serbia tashmë ka ndaluar fluturimet për dhe nga aeroporti i Nishit.

“Që nga 19 marsi, të gjitha fluturimet komerciale për pasagjerë për dhe nga aeroporti ‘Nikola Tesla’ përkohësisht do të ndalohen… kalimi kufitar në aeroport përkohësisht do të jetë i mbyllur”, thotë komunikata, raporton Reuters.

Hera e fundit kur u ndaluan fluturimet për dhe nga aeroporti i Beogradit ishte më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë, transmeton KOHA.

Aktualisht, në Serbi janë 97 raste të konfirmuara me koronavirus, një rritje prej 8 personash nga dita e djeshme, nga 486 persona të testuar. Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të vdekur nga virusi.

Të mërkurën, ushtria serbe u vendos nëpër kufij në pajtim me gjendjen emergjente të shpallur të dielën.