Botë

Koronavirusi: Përmbledhje e zhvillimeve më të reja

Descriptive Text

Koronavirusi, që po përhapet me shpejtësi, ka prekur rreth tetëdhjetë shtete, teksa më shumë raste tani raportohen jashtë Kinës, burimit të këtij virusi, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

-Në tërë botën janë shënuar mbi 94.000 raste dhe 3.220 persona kanë vdekur, sipas shifrave të Reutersit.

-Në Kinën kontinentale janë konfirmuar 119 raste të reja të martën, një rënie kjo krahasuar më 125 raste sa u konfirmuan një ditë më parë. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara ka arritur në 80.270, derisa ai i vdekjeve në 2.981, deri më 3 mars.

-Korea Jugore ka raportuar qindra raste të reja, teksa shumë të sëmurë janë detyruar të presin për shtretër nëpër spitalet në Daegu, epiqendër e koronavirusit në këtë shtet. Rastet e reja e ngrisin në 5.621 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë shtet, krahas 32 rasteve të vdekjes.

-Franca ka 285 raste të konfirmuara të koronavirusit, ka deklaruar të mërkurën kryetari i Institutit të Shëndetit Publik në Francë, Jerome Salomon, apo 73 raste më shumë, krahasuar me një ditë më parë.

-Presidenti i Koresë së Jugut e anuloi një vizitë të planifikuar kah mesi i marsit për në Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipt dhe Turqi.

-Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në Itali ka mbërritur në 107 të mërkuren, me 24 viktima nga ky virus brenda vetëm 24 orëve.

-Virusi është përhapur në pothuajse të gjitha provincat e Iranit, ka deklaruar të mërkurën presidenti i këtij shteti, Hassan Rouhani. Irani ka më shumë se 2.900 raste të konfirmuara dhe 92 të vdekur.

-Hungaria dhe Sllovenia kanë konfirmuar rastet e para të koronavirusit. Në Hungari, fjala është për dy studentë iranianë në këtë shtet.

-Irlanda Veriore të mërkurën ka konfirmuar edhe dy raste tjera të koronavirusit.

-Iraku të mërkurën ka raportuar për rastin e dytë të vdekjes nga koronavirusi, në Bagdad.

-Edhe një person ka vdekur në Seattle të SHBA-së, duke e sjellë numrin e të vdekurve atje në dhjetë, kanë deklaruar të mërkurën zyrtarët amerikanë. Raste të reja të koronavirusit ndërkaq janë raportuar në dy qytetet më të populluara në SHBA – katër në afërsi të New Yorkut dhe gjashtë në Los Angeles.

-Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Britani është ngritur në 85 të mërkurën, rritja kjo më e madhe brenda 24 orëve, që nga rasti i parë në këtë shtet.

-Numri i rasteve të konfirmuara në Japoni e ka kaluar 1.000-shin, teksa qeveria ka ritheksuar se nuk ka sprapsje nga planet për Lojërat Olimpike në Tokio gjatë korrikut.

-Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Indi ka arritur në 29 të mërkurën, përfshirë 16 turistë italianë.

-Autoritetet shëndetësore spanjolle kanë deklaruar të mërkurën se kanë konfirmuar 193 raste me koronavirus në Spanjë, përfshirë tre fëmijë. Të martën, Spanja ka raportuar rastin e parë të vdekjes.

-Gjashtëmbëdhjetë raste të reja janë konfirmuar në Stockholm, kanë deklaruar të mërkurën autoritetet suedeze, duke e ngritur në 52 numrin e përgjithshëm të rasteve në Suedi.

-Ministri polak i Shëndetësisë e ka konfirmuar të mërkurën rastin e parë në këtë shtet.

-Shkencëtarët në Kinë thonë se kanë gjetur dy lloje të këtij virusi që po përhapen midis njerëzve dhe po i shkaktojnë infeksionet.

-Veterinarët kanë thënë të mërkurën se qeni i një pacienti me koronavirus, që mbahej në karantinë në Hong Kong, mund të jetë rasti i parë i bartjes së këtij virusi prej kafshës tek njeriu.

-Taxhikistani të mërkurën iu ka kërkuar qytetarëve që t’i shmangen faljes së xhumasë, ndonëse në këtë shtet të Azisë Qendrore nuk është raportuar ndonjë rast deri më tani.

-Shitoret në Australi kanë vënë kufij mbi numrin e letrave të tualetit që mund të blihen, pas zhdukjes së tyre nga raftet të mërkurën, teksa në këtë shtet është regjistruar rasti i tretë.