Koronavirusi mbërrin në Ballkan – SHBA-ja thotë se një pandemi është “e pashmangshme”

Koronavirusi mbërrin në Ballkan – SHBA-ja thotë se një pandemi është “e pashmangshme”

26 February 2020 08:30

Teksa koronavirusi po vazhdon të përhapet nëpër botë, një ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se shtetet anembanë globit “thjeshtë nuk janë të gatshme” të përballen me një pandemi. Ndërkohë, autoritetet në SHBA kanë thënë se pandemia tani është e pashmangshme.

Virusi është përhapur në shumë pjesë të Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme gjatë ditëve të kaluara, teksa numri i të vdekurve është rritur në Iran, numri i të infektuarve në Kore të Jugut e ka kaluar 1.000-shin dhe raste të infeksioneve janë konfirmuar në Kroaci, Austri dhe Zvicër, raporton “The Guardian”, transmeton Koha.net.

Në selinë në Gjenevë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bruce Aylëard, i cili ka qenë në krye të një misioni ndërkombëtar ekspertësh në Kinë, ka përgëzuar këtë shtet për masat e ndërmarra, por ka paralajmëruar se shtetet tjera “thjeshtë nuk janë të gatshme” ta frenojnë përhapjen e koronavirusit.

“Duhet të jesh i përgatitur për ta menaxhuar këtë në një shkallë më të madhe… dhe gjithçka duhet të bëhet shpejtë”, ka thënë Aylëard.

OBSH-ja iu ka bërë thirrje shteteve që të “përgatiten për një pandemi potenciale” – term i përdorur për ta përshkruar një epidemi që përhapet nëpër shumë kontinente.

Në Evropë, qytezat dhe qytetet janë vënë në karantinë, në kuadër të përpjekjeve për ta frenuar përhapjen. Italia – që ka njoftuar për dhjetë të vdekur dhe më shumë se 300 raste – ka vënë në karantinë njëmbëdhjetë qyteza dhe ka vendosur që ndeshjet e “Serie A” të luhen pa shikues.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme