“Ky njeri, me plot kuptimin e fjalës, është mohues gjenocidi”.
Kështu shkruan një komentues me emrin @mikeyfranklin pas postimit në Twitter të Komitetit Amerikano-Izraelit për Marrëdhëniet me Publikun (AIPAC), ku njoftohet se në konferencën e sivjetme që do të mbahet nga 1 deri më 3 mars në Uashington DC, si folës do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Jasmin Mujanoviq, një analist nga Bosnja e Hercegovina, ka ironizuar me vendimin për të ftuar Vuçiqin në këtë konferencë, duke thënë në Twitter: “Interesante. Supozoj se temë e fjalimit të tij do të jetë ‘Gjenocidi në Bosnjë dhe Krimet Kundër Njerëzimit në Kosovë dhe Pse i Mohoj Ato’”.
Edhe komentues tjerë në Twitter kanë kritikuar vendimin e AIPAC-ut për të ftuar Vuçiqin si folës në këtë konferencë, duke ua kujtuar se Vuçiqi ka qenë ministër i Informacionit gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit kur edhe u zhvilluar luftërat në Bosnje e Kosovë.
“Vuçiqi shërbeu si ministër i Informacionit i Sllobodan Millosheviqit gjatë Luftës në Bosnjë në të ’90-at dhe ka mohuar vazhdimisht se masakrat serbe ndaj myslimanëve të Bosnjës gjatë asaj lufte ishin gjenocid”, ka shkruar @nycsouthpaw.
Lexoni KËTU reagimet e përdoruesve të rrjetit social Twitter pas vendimit të AIPAC-ut.
Pak më parë, në profilin zyrtar të AIPAC-ut u konfirmua se Vuçiqi do të jetë një prej folësve në këtë konferencë.
Ndërkaq, pretendenti kryesor i demokratëve për president në zgjedhjet në SHBA më 2020, senatori Bernie Sanders, ditë më parë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në konferencën vjetore të lobistëve pro-izraelitë AIPAC pasi shfaqi brengën e tij rreth gatishmërisë së grupit për të përqafuar qëndrimet e fanatikëve dhe për shkak të shpërfilljes së të drejtave të njeriut të palestinezëve.
Edhe senatorja Elizabeth Warren (Demokrate), po ashtu kandidate për presidente, më 6 shkurt njoftoi se nuk do të marrë pjesë në konferencën e AIPAC-ut.
-
25 shkurt 2020 23:43
-
Shpërndaje në: