Presidenti kinez pranon se epidemia e koronavirusit është e rëndë dhe do të ketë pasoja ekonomike Foto: Reuters

Presidenti kinez pranon se epidemia e koronavirusit është e rëndë dhe do të ketë pasoja ekonomike

24 February 2020 10:12

Epidemia e koronavirusit është kriza më serioze shëndetësore që ka prekur Kinën që nga vendosja e regjimit komunist në vitin 1949, ka deklaruar vetë presidenti i vendit, Si Gjinping.

Ai shtoi lidhur me këtë se duhet mësuar mësimin nga mungesa e qartë e përgjigjes ndaj epidemisë. Ai e përshkroi këtë si sfidë të madhe për vendin, transmeton KTV.

Presidenti kinez pranoi se kriza me virusin do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për shoqërinë, por edhe për ekonominë e vendit, por u shpreh i bindur që pasojat do të tejkalohen shpejt.

Kriza me koronavirusin përndryshe nuk është duke u qetësuar. Vetëm të dielën në Kinë janë shënuar 97 raste të reja të vdekjeve, e numri i përgjithshëm i të vdekurve arriti në 2442 persona.

Epidemia ka prekur edhe 20 shtete të tjera në botë derisa OBSH-ja shpalli gjendje të jashtëzakonshme globale.

Pas Kinës, numrin më të lartë të vdekjeve e ka Irani me tetë të tilla, pastaj Koreja e Jugut me 7 vdekje nga koronavirusi, ndërsa Japonia ka katër. Italia ka tri vdekje deri më tani, ndërsa Hong Kongu dy. Italia si masë parandalimi për përhapjen e virusit ka anuluar festivalin më të njohur në botë, atë të Venecias. Vendet si Filipinet, Tajvani dhe Franca kanë regjistruar nga një vdekje prej koronavirusit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme