Botë

Koreja Jugore në alarm, 100 të infektuar me koronavirus për dy ditë

Koreja e Jugut i ka ashpërsuar masat për ta frenuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit vdekjeprurës, pas raportimit të shifrave alarmuese të të prekurish.

Kryeministri Chung Sye-kyun bëri të ditur se vendi është vënë në gjendje “emergjence” shkaku i evidentimit të rreth 100 rasteve të infektimit gjatë vetëm dy ditëve të fundit. Të premten dy qytetet jugore, Daegu dhe Ceongdo, u shpallën “zona të kujdesit special”, raporton KTV.

Nën masa të izolimit është vënë edhe një pjesë e ushtrisë, pasi që disa pjesëtarë të saj u testuan pozitiv për virusin. Koreja e Jugut raportoi 52 raste të reja të enjten dhe 53 të premten, teksa ka në përgjithësi 156 raste me koronavirus. Këto shifra e bëjnë atë vend zonën më të prekur jashtë Kinës.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në krahinën kineze Wuhan gjatë dhjetorit të shkuar.

Të dhënat më të fundit tregojnë se aktualisht janë mbi 2.200 të vdekur dhe më se 75 mijë të infektuar nga virusi që është përhapur në Azi, Evropë, SHBA, Afrikë dhe Lindje të Mesme. Një mjek 29-vjeçar në Wuhan është bërë viktima e fundit e koronavirusit.