Botë

Trumpi i kishte ofruar Assanges falje nëse do të mohonte përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar që ta falë themeluesin e “WikiLeaks”-it, Julian Assangen, po qe se ai thotë se Rusia nuk kishte të bënte gjë me publikimin në ueb-faqen e tij të emailave të partisë demokrate më 2016, ka bërë të ditur të mërkurën një gjykatë në Londër.

Assange ka bërë paraqitje përmes një videolidhjeje, teksa avokatët po diskutonin rreth menaxhimit të seancës së tij dëgjimore javën e ardhshme për të vendosur nëse ai duhet të ekstradohet apo jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton “Koha Ditore”.

Në gjykatën e Westminsterit, avokati i Assanges, Edward Fitzgerald, iu referua deklaratës së dëshmitarit Dana Rohrabacher, ish-kongresist republikan, i cili e kishte vizituar Assangen më 2017, të ketë thënë se ai ishte dërguar nga presidenti për t’i ofruar atij falje.

Megjithatë, falja mund të bëhet vetëm nën kushtin që Assange t’i bindet kërkesës së SHBA-së, duke deklaruar se rusët nuk kanë qenë të përfshirë në rrjedhjen e të dhënave nga posta elektronike e Partisë Demokratike në dëm të fushatës presidenciale të Hillary Clintonit më 2016, thuhet në deklaratën e Rohrabacherit.