Prokuroria turke ka urdhëruar arrestimin e 700 zyrtarëve ushtarakë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, duke e intensifikuar fushatën kundër rrjetit të akuzuar për orekstrimin e tentimpuçit të 2016-s.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa të ashpra të shtypjes ndaj pasuesve të pretenduar të imamit Fethullah Gulen, qysh nga tentimi i dështuar për rrëzimin e Qeverisë në korrik të 2016-s, që rezultoi me 250 të vrarë, raporton Reuters.
Edhe pas afro katër vjetësh, policia turke po i vazhdon operacionet kundër të dyshuarve.
Në veprimin e fundit, prokuroria në Stamboll ka urdhëruar arrestimin e 157 personave, përfshirë 101 zyrtarë aktualë.
Rreth njëqind persona janë arrestuar deri më tani në këtë operacion, kanë njoftuar mediat lokale.
Në kryeqytetin Ankara, 71 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve që kishin në cak mbështetësit e pretenduar të Gulenit në Ministrinë e Drejtësisë.
Pas kësaj, prokuroria e zgjeroi listën me edhe 467 të kërkuar. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar kaherë mbështetësit e Gulenit për krijimin e një “shteti paralel” në Turqi përmes infiltrimit të policëve, gjykatësve dhe shërbyesve të tjerë shtetërorë, transmeton KTV.
Që nga tentimpuçi, rreth 80 mijë persona janë burgosur dhe janë lënë në pritje të gjykimit teksa mbi 150 mijë shërbyes civilë, zyrtarë ushtarakë dhe nëpunës të tjerë janë shkarkuar apo pezulluar nga vendet e tyre të punës.
Aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe grupet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave njerëzore, kanë kritikuar përmasat e masave të shtypjes.
Mirëpo Ankaraja i ka mbrojtur, duke i cilësuar si përgjigje të domosdoshme ndaj kërcënimeve për sigurinë e vendit.