Botë

BBC: Pekini dënoi ujgurët kinezë për shkak të mjekrave e perçeve

Descriptive Text

Rrjedhja e një databaze ka ofruar të dhëna se si autoritetet kineze kanë vendosur për fatin e qindra mijëra myslimanëve në kampet e internimit, kanë raportuar transmetuesi britanik, BBC dhe agjencia e lajmeve, AP.

Në dokumente shpërfaqen profilet e 311 individëve nga provinca Xinjiang, duke përfshirë të kaluarën e tyre.

Të dhënat, po ashtu ofrojnë informacione për më shumë se 2,000 familjarë, fqinj dhe shokë të tyre, shkruan REL.

Adrian Zenz, pjesëtar i Fondacionit për Përkujtim të Viktimave të Komunizmit në Uashington, ka thënë se “ky dokument përbën të dhënat më të fuqishme” që ka parë ndonjëherë, i cili tregon se Pekini “është duke ndëshkuar praktikat normale të besimeve tradicionale”.

Shumë prej raporteve familjare të listuara në dokument tregojnë dënime të larta për prindërit apo fëmijët, ndonjëherë për ndjekje dhe praktika krejtësisht normale fetare, transmeton Koha.net.

Babai i një burri shihet të jetë dënuar me pesë vjet për shkak se “kishte mjekër të dendur dyngjyrëshe dhe organizonte një grup studimor fetar”.

Sipas BBC-së, rreshti 598 i dokumentit përmban rastin e një 38-vjeçareje me emrin Helchem, e dërguar në kamp riedukimi për një arsye kryesore: është kuptuar se ajo kishte bartur perçe disa vite më parë.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar më 2019 se rreth 1 milion ujgurë etnikë në Xinjiang janë duke u mbajtur në ato që Pekini i konsideron “qendra kundërterrorizmit”.

Kombet e Bashkuara po ashtu kanë thënë se miliona njerëz janë detyruar të bëhen pjesë e këtyre kampeve në Kinë.

Kina i përshkruan këto hapësira si “qendra edukative” me qëllim të pastrimit të njerëzve nga terrorizmi dhe për t’i lejuar ata që sërish të jenë pjesë e shoqërisë.