Botë

Koronavirusi lë 6 mjekë të vdekur e mbi 1.700 të infektuar

Descriptive Text

Gjashtë pjesëtarë të stafit mjekësor kanë vdekur dhe mbi një mijë e shtatëqind të tjerë janë infektuar që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kinë.

Të dhënat mbi prekjen e ekipeve mjekësore nga virusi me simptoma të ngjashme me gripin ngre shqetësimet rreth mungesës së pajisjeve adekuate të mbrojtjes. Vdekja një javë më parë e mjekut kinez Li Wenliang, i cili ishte i pari që u përpoq t’i paralajmëronte autoritetet lidhur me virusin, kishte nxituar reagime publike në fillim të muajit, raporton KTV.

Lajmi për prekjen e mjekëve nga virusi u bë i ditur në ditën kur Kina raportoi për 121 raste të reja të vdekurish nga koronavirusi. Autoritetet shëndetësore njoftuan se 116 prej këtyre rasteve janë regjistruar në epiqendrën e infeksionit, krahinën Hubei, duke e çuar në të paktën 1.380 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në të gjithë vendin. Numri i përgjithshëm i të prekurve, ndërkaq, ka arritur në më shumë se 64 mijë, ka njoftuar Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë.

Ndërkaq jashtë territorit kinez, vendi tjetër më i prekur nga epidemia është Japonia, ku vetëm në anijen “Diamond Princess”, që tash e sa ditë është futur në karantinë, janë shfaqur 44 raste të reja infektimi, me gjithsej 218 sosh.