Botë

Evakuime në bankën më të madhe në Singapor, një punëtor i infektuar nga koronavirusi

Foto: Reuters

Banka më e madhe e Singaporit, “DBS Group”, ka evakuuar të mërkurën rreth 300 pjesëtarë të stafit nga zyra qendrore, pasi që një i punësuar është testuar si pozitiv për koronavirus.

Banka ka njoftuar se pas konfirmimit të rastit ka këshilluar menjëherë stafin që të largohet nga selia e përgjithshme, transmeton KTV. I punësuari i është nënshtruar testit për koronavirus të martën, ndërsa menjëherë pas konfirmimit banka ka ndërmarrë masat parandaluese për ta shmangur përhapjen e virusit midis të punësuarve të tjerë.

Singapori ka raportuar deri më tani për 50 raste të infektimit, duke u bërë vendi me numrin më të madh të të prekurve nga virusi, përtej Kinës.

Qeveria është përpjekur që t’i qetësojë qytetarët, pasi që e ngriti shkallën e alarmit për virusin gjatë javës së shkuar, duke nxitur panik mes popullatës.

Banka DBS ka më shumë se 5 mijë të punësuar, por evakuimit i janë nënshtruar vetëm të punësuarit që punonin në të njëjtin kat me të infektuarin.