Forcat franceze të sigurisë kanë larguar 427 persona dhe kanë shkatërruar 266 tenda në një vendbanim ilegal në Porte de la Villette.
Plani është realizuar në kuadër të përpjekjeve për të larguar emigrantët nga pjesa veriore e Parisit, transmeton KTV. Emigrantët me autobusë janë transferuar në qendrat e strehimit.
Pothuajse të gjithë ishin nga Eritrea dhe Somalia. Tendat u hoqën pas direktivave të ministrit të Punëve të Brendshme, Christophe Castaner, në nëntor për t’i mbyllur të gjitha kampet e paligjshme të emigrantëve në qytet.
Javën e kaluar, shefi i policisë në Paris, Didier Lallement, në një deklaratë përsëriti nevojën për t'u dhënë fund kampeve, për të cilat tha se vazhdojnë të rindërtohen.
Një kamp i madh u mbyll në qytetin Calais në vitin 2016 dhe shkaktoi rritjen e popullsisë së refugjatëve që vendoseshin në Paris.