Botë

Shtohet presioni ndaj presidentit të Meksikës për shkak të emigrantëve latinë

Foto: Reuters

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, po përballet me kritika në rritje për ofertat që po ia bën presidentit amerikan Donald Trump për murin kufitar.

Ai po kritikohet edhe për incidentin kur forcat e sigurisë u përleshën me emigrantët e Amerikës Qendrore pranë kufirit të Guatemalës këtë javë, transmeton KTV.

Meksika, nën kërcënimin e tarifave ndëshkuese amerikane, është përkulur ndaj kërkesave të Trumpit që të kontrollojë lëvizjet masive të emigrantëve që udhëtojnë drejt kufirit amerikan.

Së fundmi, qeveria meksikane ka dërguar në Honduras me aeroplanë të paktën 219 emigrantë. Ata ishin pjesë e një karvani që ishte nisur për në ShBA dhe që mbërriti në kufirin jugor të Meksikës gjatë fundjavës.

E shumica e tyre janë nga Hondurasi. Kryediplomati meksikan, Marcelo Ebrard, ka thënë se emigrantëve u ofrohen tri mundësi: ata mund të aplikojnë për strehim, të marrin leje të përkohshme pune në Meksikë ose të kthehen në shtëpi.