Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 godet Turqinë

Shkon në 15 numri i të vdekurve në Turqi, mbi 400 të lënduar

24 January 2020 19:19
23:45

15 persona kanë vdekur e mbi 400 tjerë janë lënduar pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.8 që goditi pasditen e sotme Turqinë, më saktësisht provincën Elazig.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu shifrën e ka konfirmuar për Anadolu Agency.

Ai tha se 10 prej viktimave janë nga Elazigu ndërsa 5 të tjerë nga Malatya, transmeton Koha.net.

Gjysmëhëna e kuqe turke, njoftoi se është krijuar një ekip i madh shpëtimi derisa janë dërguar nëpër zonat e prekura. Ajo tha se diku rreth 5 mijë persona janë dërguar në terren.

22:48

Shkon në 14 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi

Nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë në orët e vona të ditës së sotme, shifrat e fundit thonë se kanë mbetur 14 të vdekur, raporton Reuters.

Këtë e ka konfirmuar Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë.

Tërmeti, i shkallës 6.8, goditi provincën Elazig, ku përpos të vdekurve të raportuar deri më tani, ka rrënuar edhe shumë ndërtesa ndërsa raportohet se është ndierë edhe në zonat përreth, transmeton Koha.net.

Ai u shoqërua nga dhjetëra lëkundje tjera.

22:35

Rritet numri i të vdekurve e të lënduarve nga tërmeti në Turqi

Image

Sipas CNN-it turk, numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi ka shkuar në gjashtë.

Ndërkaq, raportohet se janë lënduar më shumë se 200 persona, transmeton Koha.net.

21:15

Katër të vdekur deri më tani nga tërmeti i fuqishëm në Turqi

Image

Një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë të premten, duke vrarë katër persona dhe duke shkatërruar ndërtesa afër epiqendrës, i cili u ndie në disa vende përreth.

Lëkundja ishte e magnitudës 6.8 dhe ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiano-Mesdhetare (EMSC).

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se katër persona kanë vdekur në atë që e përshkroi si tërmet të rrezikshëm – dy në provincën lindore të Elazigut dhe dy të tjera në provincën fqinje të Malatyas.

Epiqendra e tërmetit ishte në provincën Elazig, rreth 550 km në lindje të kryeqytetit, Ankarasë. Organizatat turke të ndihmave thanë se po dërgojnë ekipe në zonat e prekura.

Tërmeti goditi një zonë të largët, me popullatë relativisht të paktë dhe do të duhet kohë për autoritetet që të konstatojnë dëmin e plotë.

Mediat shtetërore në Sirinë dhe Iranin fqinj kanë raportuar ta kenë ndierë tërmetin. Edhe mediat lokale në Liban dhe në qytetet Tripoli e Bejrut e kanë ndierë lëkundjen.

Turqia ka histori të tërmeteve të fuqishme. Më shumë se 17 mijë persona vdiqën ushtin e vitit 1999 kur një tërmet i magnitudës 7.6 goditi qytetin perëndimor të Izmitit, 90 kilometra nga Stambolli. Rreth 500,000 persona mbetën pa shtëpi.

Edhe më 2011 një tërmet goditi qytetin lindor të Vanit dhe qytetin Ercis, rreth 100 kilometra në veri, duke vrarë së paku 523 persona.

19:19

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 godet Turqinë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 ka goditur mbrëmjen e sotme Turqinë.

Sipas Institutit të Kërkimeve për Tërmete, tërmeti goditi qarkun Sivrice të Elazig pasditen e sotme, me një thellësi prej 10 kilometrash, transmeton Koha.net.

Sipas raporteve të para nga autoritetet dhe mediat turke, tërmeti u ndie edhe në disa provinca fqinje në Turqinë lindore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme