Botë

Boeingu zbulon një problem të ri në aeroplanët 737 Max

Aeroplanin 737 Max i kompanisë Boeing, është përfshirë nga një çrregullim i ri.

Së fundmi, gjatë një rishikimi teknik që përfshinte këtë lloj aeroplani, Boeing zbuloi një problem me kompjuterët e fluturimit, raporton CNN.

Zbulimi i fundit i problemit teknik nuk ka të bëjë me rishikimet e softuerit që kompania Boeing i bëri për ta adresuar shkakun e dy përplasjeve fatale që vranë 346 njerëz në total, transmeton KTV.

Përndryshe, 737 Max është hequr nga përdorimi që nga marsi i vitit te kaluar, pas këtyre dy aksidenteve.

Problemet me kompjuterët janë vërejtur gjatë kyçjes së tyre brenda aeroplanit dhe përfshijnë funksionin softuerik, i cili kontrollon çrregullimet gjatë kyçjes së kompjuterit.

Procesi i kyçjes së kompjuterëve kryhet kur aeroplani është në tokë. Boeing ka qenë duke punuar në një rregullim softuerësh për sistemin e sigurisë, që besohet të jetë shkaku i dy përplasjeve fatale.

"Po bëjmë përditësime të nevojshme, duke i mbajtur klientët tanë të informuar. Prioriteti ynë është të sigurohemi që 737 MAX të jetë i sigurt dhe t’i përmbushë të gjitha kërkesat para se të kthehet në shërbim”, thuhet në njoftimin e fundit të kompanisë amerikane.

Ishte ABC News që fillimisht raportoi problemet me kompjuterët e fluturimit. Këto probleme i kanë kushtuar miliarda dollarë Boeingut. Kompania raportoi më shumë anulime sesa porosi në vitin 2019.