Papa fton për uljen e tensioneve ndërmjet Amerikës e Iranit

Papa fton për uljen e tensioneve ndërmjet Amerikës e Iranit

09 January 2020 20:33

Papa Françesku u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të shmangin përshkallëzimin e situatës, si dhe të ndjekin rrugën e “dialogut dhe vetëpërmbajtjes”, për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme.

Ai tha se tensionet rrezikuan "të komprometojnë procesin gradual të rindërtimit në Irak, si dhe të vendosin bazat për një konflikt të madh".

Papa e bëri thirrjen e tij, gjatë një fjalimi vjetor, drejtuar ambasadorëve të akredituar në Vatikan.

"Veçanërisht shqetësuese janë sinjalet që vijnë nga i gjithë rajoni, pas rritjes së tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara", u tha Papa Françesku, diplomatëve nga më shumë se 180 shtete, transmeton Koha.net lajmin e publikuar në Radion Evropa e Lirë.

Udhëheqësi 83-vjeçar i Kishës Katolike gjatë fjalimit të tij, bëri një përmbledhje kryesisht të zymtë të vitit 2019, duke folur për luftëra, ngrohjen globale, ksenofobinë ndaj migrantëve dhe rrezikun e armëve bërthamore.

Më 31 dhjetor 2019 Ambasada e SHBA-së në Irak u sulmua nga një turmë demonstruesish, të zemëruar nga vrasja e militantëve të lidhur me Iranin, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së.

Disa ditë më pas, më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes një sulmi me dron në Irak, e kanë vrarë komandantin e lartë iranian, Qasem Soleimanin.

Soleimani ka udhëhequr forcat elite të Gardës Revolucionare Islamike, të cilën SHBA-ja e konsideron terroriste.

Irani i është përgjigjur vrasjes me sulme kundër bazave amerikane në Irak, këtë javë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një fjalim drejtuar kombit, tha se për aq kohë sa ai është president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.

“Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Por, Irani duket se po tërhiqet”, ka deklaruar ai. /REL/

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme