Botë

Shoferi në Wisconsin qëllon me armë zjarri dy fëmijë pasi e goditën me topa bore veturën e tij

Descriptive Text

Dy fëmijë janë qëlluar me armë zjarri dhe janë lënduar nga një shofer pasi ata hodhën topa bore në drejtim të veturave në lëvizje në shtetin amerikan Wisconsin.

Një nga topat e borës goditi veturën e shoferit në fjalë dhe më pas ai shtiu me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, raporton “SkyNews”.

Autoritetet thanë se një vajzë 12-vjeçe dhe një djalë 13-vjeç janë dërguar në spital pas të shtënave të shtunën mbrëma në një lagje në veri të qendrës Milwaukee, transmeton Koha.net.

Departamenti policor i qytetit shkroi në Twitter. “Hetimet preliminare bëjnë me dije se dy viktimat ishin me një grup fëmijësh që hedhin topa bore në drejtim të veturave në lëvizje”.

“Një nga topat e borës ka goditur një Toyota, pa detaje tjera, dhe shoferi i veturës ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të fëmijëve, duke goditur dy viktima. Policët menjëherë u kanë dhënë ndihmën e parë dy viktimave. Të dy janë duke u trajtuar në një spital lokal”, ka thënë më tej Policia.

Thuhet se lëndimet nuk janë kërcënuese për jetë.

Deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar dhe policia po bën thirrje për informacion rreth rastit.