Botë

Pas vrasjes së komandantit kryesor ushtarak të Iranit paralajmërohet hakmarrje

Komandanti kryesor ushtarak i Iranit, gjeneral Qasem Soleimani, është vrarë nga një sulm ajror i SHBA-së, në Irakun fqinj.

62-vjeçari udhëhoqi operacionet ushtarake iraniane në Lindjen e Mesme. Ai u vra në aeroportin e Bagdadit, së bashku me forcat lokale të mbështetura nga Irani.

Sulmi ndaj tij u urdhërua nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Vrasja e gjeneralit Soleimani shënon përshkallëzim të madh të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, raporton KTV.

Gjeneral Soleimani ishte figurë kryesore në regjimin iranian. Forcat e tij i raportuan drejtpërdrejt Ajatollah Ali Khameneit dhe ai u cilësua si figurë heroike kombëtare.

Por, SHBA-ja e ka konsideruar terrorist dhe përgjegjës për vdekjen e shumë shtetasve amerikanë në Lindjen e Mesme.

Presidenti Trump, i cili ishte në Florida në kohën e sulmit, në rrjetin social Twitter e ka postuar flamurin amerikan, menjëherë pas operacionit.

Ndërkohë, reagimet ishin të shumta pas këtij rasti.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se hakmarrje e rëndë i pret kriminelët që qëndrojnë pas sulmit.

Ndërsa, Qeveria ruse ka thënë se vrasja e gjeneralit më të lartë, i përkeqëson tensionet.

Edhe në SHBA pati kundërshtime.

Kandidati demokrat për presidencën amerikane, Bernie Sanders, sikurse kandidatët e tjerë Elizabeth Warren dhe Joe Biden, e kanë kritikuar vendimin për sulmin ajror.

Sipas Sandersit, sulm i shton gjasat për luftë. Ndërkohë, çmimet globale të naftës janë rritur me më shumë se 4% pas sulmit.

Vrasja e gjeneral Qasem Soleimanit ndodhi tri ditë pasi protestuesit u përpoqën të sulmojnë Ambasadën Amerikane në Bagdad.