Riad, dita e dytë. Pas marrëveshjeve ushtarake, Presidenti amerikan Trump do të merret pak edhe me politikën botërore, ashtu siç e kupton ai. Me vëmendje pritet fjalimi i tij për fenë islame.
Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdoi vizitën e tij në Arabinë Saudite. 70-vjeçari do të marrë pjesë fillimisht në një takim të shteteve të gjirit, nën udhëheqjen e Riadit. Pika kulmore e ditës është pasdite, kur ai do të flasë para shumë liderëve të vendeve të botës islame. Trumpi këto do të paraqesë vizionet e tij për fenë islame, shkruan DW.
“Një ditë e jashtëzakonshme”
Në ditën e parë Trumpi nënshkroi në Riad marrëveshje ushtarake në vlerë prej më shumë se 350 miliardë dollarë. “Kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme”, tha Trump pas takimit me Mbretin saudit Salman. “Qindra miliarda dollarë investime në SHBA - punë, punë, punë”. Një të tretët e volumit të marrëveshjes e përbëjnë mallrat ushtarake për Arabinë Saudite.
Agjencia shtetërore e lajmeve SPA tha se janë nënshkruar 34 marrëveshje. Ndër to edhe ajo për armatime, në vlerë prej gati 110 miliardë dollarë - që është një prej marrëveshjeve më të mëdha në historinë amerikane. Ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson tha në Riad se këtu garantohet “siguria afatgjate e Arabisë Saudite dhe gjithë rajonit”.
Presidenti Trump të shtunën ka nisur vizitën e parë në këtë rajon. Pas uljes së Air Force One, Trumpi dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën nga Mbreti Salman personalisht në aeroport. Mbreti 81-vjeçar ka organizuar më pas edhe një takim më të gjatë me Presidentin.
Pa shami
Në ekipin e Trumpit ishte edhe vajza e tij Ivanka. Përkundër ligjeve strikte fetare, Melania dhe Ivanka Trump, nuk kanë vënë shami koke. Organizatat e të drejtave të njeriut në SHBA kanë kritikuar Trumpin për marrëveshjet e armatimeve, sepse Arabia Saudite mbështetë kryengritësit në Jemen. Arabia Saudite konsiderohet si vendi i katërt më i madh (në listën e Institutit Sipri nga Stokholmi), për të dhënat ushtarake, me një volum prej 63,7 miliardë dollarë në vit.