Botë

Kinezët kundër Ozilit shkaku i ujgurëve myslimanë

Disa fansa të Arsenalit në Kinë kanë djegur fanellën dhe i kanë bërë thirrje klubit nga Londra që ta përjashtojë mesfushorin Mesut Ozil, që publikisht kritikoi shtetin kinez për keqtrajtimin e myslimanëve në rajonin Xinjiang.

Ozili që zakonisht është i qetë nëpër rrjete sociale, shpërtheu të premten në Instagram, kur në një postim të gjatë, ujgurët e Kinës i quajti “luftëtarë që u rezistojnë persekutimeve”.

Postimi në prapavijë kishte flamurin e shtetit jetëshkurtër të Turkestanit Lindor, pjesë tani e kontrolluar nga Kina e që quhet Xinjiang.

Mesfushori gjerman me prejardhje turke, në këtë postim, shkroi se Kurani dhe xhamitë po digjen në këtë rajon, derisa dijetarët e fesë po vriten një nga një, transmeton KTV.

“Përkundër këtyre gjërave, myslimanët po heshtin”, ka shkruar Ozili në këtë postim.

Komenti i tij ka ngjallur reagime të ashpra në Kinë, ku ka miliona fansa të klubit londinez. Vetë lojtari ka katër milionë fansa në një rrjetin social kinez “Weibo”.

Një televizion kinez shkaku i Ozilit, ndërpreu transmetimin e ndeshjes së Arsenalit ndaj Manchester Cityt, të dielën mbrëma.

E Ministria e Punëve të Jashtme në Kinë, deklaroi se Ozili është ndikuar nga lajmet e rreme.

Tentimet e Arsenalit që të distancohej nga komentet e Ozilit ishin të kota, me fansat kinezë që përsëri kërkuan largimin e tij nga klubi.

E disa uebfaqe kineze të futbollit, kanë thënë se nuk do të publikojnë asnjë lajm në lidhje me Ozilin.

Një redaktor i gazetës “Global Times” në Kinë e akuzoi Ozilin se po bën thirrje për xhihad ndaj Kinës, derisa kërkoi nga mesfushori gjerman që të siguronte faktet për akuzat që ia ka bërë Kinës në lidhje me ujgurët.

Publikimi i disa dokumenteve zyrtare në muajin nëntor, për herë të parë ka dhënë detaje të tru shpëlarjes sistematike që ua ka bërë Kina mijëra myslimanëve përmes një rrjeti në kampet burgje.

Rreth një milion njerëz, shumica të komunitetit ujgur, mendohet se janë mbajtur në këto kampe.

Qeveria kineze vazhdimisht ka deklaruar se kampet në Xinjiang ofronin arsimim dhe trajnime vullnetare.