Senati amerikan miratoi rezolutën për gjenocidin ndaj armenëve, zemërohet Turqia

Senati amerikan miratoi rezolutën për gjenocidin ndaj armenëve, zemërohet Turqia

13 December 2019 09:06

Senati amerikan miratoi njëzëri një rezolutë që i cilëson si gjenocid vrasjet masive të armenëve një shekull më parë, një veprim që zemëroi Turqinë dhe u dha një goditje marrëdhënieve tashmë problematike midis Ankarasë dhe Washingtonit.

Rezoluta e përkujton si gjenocid vrasjen e 1.5 milion armenëve nga Perandoria Osmane nga viti 1915 deri në vitin 1923.

Turqia dënoi rezolutën që u miratua një muaj pas vizitës zyrtare në Shtëpinë e Bardhë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili gëzon një marrëdhënie të veçantë me presidentin Donald Trump, me gjithë problemet e shtuara që kanë dëmtuar marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s.

Presidenti Trump e kishte cilësuar takimin e tij më 13 nëntor me presidentin Erdogan si "të mrekullueshëm", pavarësisht se nuk ishte shënuar ndonjë përparim konkret rreth mosmarrëveshjeve të thella siç është blerja e sistemeve të armëve ruse nga Ankaraja dhe pikëpamjet e ndryshme rreth Sirisë.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, e kishte miratuar rezolutën me një shumicë dërrmuese në tetor. Por votimi në Senat u bllokua në mënyrë të përsëritur nga senatorët republikanë të presidentit Trump që nga takimi me presidentin turk.

"Ky është një nderim për kujtimin e 1.5 milion viktimave të gjenocidit të parë të shekullit të 20-të dhe hap i guximshëm në promovimin e agjendës së parandalimit. Kurrë më”, shkroi kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.

Turqia pranon që shumë armenë që jetonin në Perandorinë Osmane u vranë në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por kundërshton shifrat dhe mohon që vrasjet ishin orkestruar në mënyrë sistematike dhe paraqesin gjenocid.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, e quajti vendimin një "shfaqje politike" ndërsa zëdhënësi i presidentit, Ibrahim Kalin, tha se Ankaraja e dënon me forcë dhe e kundërshton atë. Rezoluta nuk është detyruese.

"Historia do t'i shënojë këto rezoluta si veprime të papërgjegjshme dhe joracionale nga disa anëtarë të Kongresit amerikan kundër Turqisë," tha Fahrettin Altun, drejtori i komunikimeve të Turqisë.

Punonjës të Kongresit thanë se Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron që legjislacioni të ecë përpara ndërsa negocion me Ankaranë për çështje të ndjeshme. Sidoqoftë, që nga vizita në SHBA, presidenti Erdogan në mënyrë të përsëritur ka theksuar se Turqia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sistemin raketor i mbrojtjes ajrore ruse S-400, duke shuar shpresat për përparim/VOA.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme