Botë

Në Algjeri dy ish-kryeministra dënohen për korrupsion

Foto: EPA

Një gjykatë në Algjeri ka dënuar me burgim dy ish-kryeministra pas një hetimi të thellë për korrupsion.

Ahmed Ouyahia u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Abdelmalek Sellall me 12 vjet burgim.

Ata u akuzuan për abuzim të autoritetit të tyre në një skandal me vetura.

Kjo ishte hera e parë që nga pavarësia e Algjerisë nga Franca më 1962 që ish-kryeministrat janë gjykuar.

Të dy ishin aleatë të presidentit Abdelaziz Bouteflika, që dha dorëheqje pas protestave masive në muajin prill.

Protestuesit vazhduan thirrjet e tyre duke kërkuar reforma, duke akuzuar liderët e partive në qeveri për korrupsion dhe represion, para zgjedhjeve presidenciale.

Ouyahia dhe Sellal ishin në mesin e 19-të të akuzuarve për pastrim parash, abuzim të autoritetit, dhe dhënien e privilegjeve të panevojshme në industrinë e automobilizmit.

Sektori i automobilizmit u lansua më 2014 përmes partneritetit mes grupeve të huaja dhe korporatave të mëdha algjeriane, shpesh të udhëhequra nga biznesmenë të lidhur me të afërm të Bouteflikas, sipas raportimeve të agjencisë “AFP”.