Kandidati demokrat që po lufton për nominimin në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, u është kthyer sulmeve kundër presidentit Trump që u turpërua në një video të disa liderëve botërorë gjatë 70-vjetorit të themelimit të NATO-s.
E, Bideni në një tjetër video, ka thënë se e gjithë bota po qeshet me presidentin aktual të SHBA-së, transmeton KTV. Për këtë shkak, Bideni ka thënë se amerikanëve u duhet një lider që gëzon respektin e gjithë botës.
Në videon tallëse, Bideni ka thënë se bota dëshiron rizgjedhjen e Trumpit si president, me qëllim që të vazhdojnë të rrjepin SHBA-në. Në anën tjetër, Trumpi ka argumentuar se ish-presidenti Barack Obama, të cilit i ka shërbyer Bideni si zëvendëspresident, arriti marrëveshje tregtare që i dha përparësi shteteve tjera karshi Shteteve të Bashkuara.
Videoja e Bidenit që ka arritur 7 milionë klikime në rrjetin social Twitter, tregon se ai është më së miri i përgatitur për politikën e jashtme; jo vetëm krahasuar me Trumpin, por edhe me kandidatët tjetër demokratë që po luftojnë për nominimin presidencial.